Tripletë tjetër për City-n? Guardiola: Ndodh një herë në jetë

Manchester City bëri histori sezonin e kaluar pasi fitoi Premier League (për herë të 5-të në 6 vitet e fundit), Kupën FA duke mundur në finale United, por shtoi për herë të parë Ligën e Kampionëve në trofeun e tyre.

Edhe pse City është padyshim favorit në çdo kompeticion ku do të marrë pjesë sërish këtë vit, Pep Guardiola u shfaq shumë i rezervuar për perspektivat e skuadrës.

“Nuk do të jetë e mundur të bëjmë atë që bëmë sezonin e kaluar, kjo ndodh një herë në jetë”, u tha trajneri katalanas gazetarëve përpara udhëtimit të nesërm në Turf Moor për t’u përballur me Burnley.

“Ne u ngjitëm në malin më të lartë sezonin e kaluar, por në dy ditët e fundit zbritëm prej tij dhe tani po fillojmë përsëri”, shtoi spanjolli, skuadra e të cilit u mund në Community Shield nga Arsenali të dielën.

“Të gjithë kanë të njëjtin synim dhe do të ketë shumë vështirësi për të ngjitur malin sa më lart. Futbolli ynë, niveli ynë, mentaliteti ynë do të diktojë se si do të jetë sezoni”, shtoi ai.


Shtuar 11.08.2023 10:48