Media në shërbim të publikut, apo publiku në shërbim të medias!
nga Genti Pulti -

Media, e cila përfshinë lirinë e mendimit, lirinë për të marrë ose për të dhënë informacion, ide pa ndërhyrjen e faktorit politik, pa marrë parasysh kufijtë, është një nga shtyllat kryesore të funksionimit demokratik të një shoqërie. Një media e lirë është zëri real i problematikave të shoqërisë, është pasqyrimi i vërtetësisë të individit, është ura lidhëse e zgjidhjes midis interesit publik dhe institucioneve. Media është promotor i njohurive, mirëkuptimit, tolerancës në shoqëritë demokratike, në diversitetet kulturore në Europe dhe më gjërë. Po në realitetin shqiptar a qëndron kjo?!

Mund të themi se në funksionimin e medias, Shqipëria është shumë larg asaj që quhet parim themeltar, media publik dhe anasjelltas. Kjo për shume arsye, të cilat kanë lidhje me një tërësi gjërash. Sigurisht është një analizë e thëllë që duhet bërë që në gjenezë, ku e gjithë media e ashtëquajtur e lirë, si në Kushtetute po ashtu në ligjet që rrjedhin prej saj, “de jure” sepse “de facto” vërtetësia është ndryshe! Ne, nuk kemi qenë ndonjëherë pjesë e nje media të lirë dhe në interes publik! A mundet kush ta mohojë këtë fakt? Nuk e besoj se dikush mund të vërtetojë të kundërtën!

Edhe nëse ka pasur një fillim lirie në shtypin e shkruar, atëherë kur nuk ekzistonin televizionet private, kjo në ngjarjet e ndodhura më pas, dhe zhvillimet e tyre, është parë se një fillim i tillë paskësh qenë vetëm sa për të ndarë kampet e audiencës, për të ndarë turmat e njerëzve, për t’i menaxhuar lehtësisht ato, duke pasur parasyshë se në shkencat e komunikimit, turmat në tërësinë e tyre janë mediokre, pra nuk udhehiqen nga arsyetimi por nga emocioni! Pastaj gjithçka filloi të dirigjohej, herë në interes të njërit krah dhe herë në një interesë të krahut tjetër.

Pas krijimit të ligjit për mediat audiovizive, pamë një dyndje kanalesh televizive, të kontrolluara ose jo, ligjore ose pirate! Mirë po këtu filloi një tatëpjetë e thepisur e një tjetër realiteti! Tashmë shqiptarët nuk lexonin më nga gazetat, por shikonin nga ekrani, e thënë ndryshe, imagjinata e një lajmi të lexuar u kufizua me pamjen, ku lindë ngrirja e audiencës, kontrolli i tyre, ku këtu nisi manipulimi publik. Plani duket ka funksionuar në tre faza; faza e parë është besimi publik se tashmë jemi në një liri komunikimi; faza e dytë ndarja e audiencës në kampe besueshmërie; faza e tretë kontrolli mbi publikun në informacionin e dhënë.

Hapja e kanaleve televizive me shumice të pa kontrolluar financiarisht bëri jo pak media një “lavatriçe” parashë, askush nuk mund të thotë se nga vinin të ardhurat, vetëm paguhej! Sigurisht në k’të treg pagesash do lindnin ato që më vonë dhe sot e kësaj dite do udhëhiqnin median! Por tashmë, media për të ekzistuar dhe qendruar duhej të futesh në shinat e të ardhurave permanente, të sigurta, gjë për të cilën ka vetëm një kusht në shtete të vogla dhe me një demokraci të brishtë, kjo është t’i bindesh politikës në interesat e saja! Deri ketu jemi në rregull, sepse edhe në krahun Perëndimor ku ne na pëlqen të rrëfejm dhe të rrëfehemi, ka media që mbeshtesin lobingje politike! Por çështja qendron nëse ky lloj lobingu është në interesin publik, apo eshte e kunderta?!

Deri tani media në përgjithësi ka rezultuar se është totalisht në dëm të interesit publik, me disa përjashtime, të disa gazetarve që sic duket zgjodhën një rrugë pak më të lirë ekonomikisht, por më të çliruar mendërisht, me hapje portalesh! Por edhe kjo deri në një farë faze, deri ne nje kufi!
Dita ditës, me zhvillimet teknologjike, portalet po marrin një rëndësi në dhënje informacioni, është më i shpejtë në komunikim, nuk njeh kufizime vendodhjeje për tu ndjekur, pasi mundësohet nga aparatet celulare, apo laptopi, ipad etj. Portalet nuk kanë vështirësi printimi, posedim kamerash televizive, montazh, regji, por mjafton me informacione që vijnë me mjetet e komunikimit të përditshëm tonin, me të njëjtat mjete që e marrim informacionin. Në këtë rast, duke parë se portalet po vijojnë të hapen, dhe informacioni kalon me shpejtësi nëpërmjet tyre, duket se ka filluar edhe këtu një kontroll.

Shkëputja e shumë gazetarve të njohur nga ekranet televizive, duke formuar portale të ndryshme, është një tregues se po me të njëjtit personazhe, po me të njëjtit analistë, targeti është përcaktuar, për të kontrolluar dhe ofruar shumë herë vërtetësinë sipas tyre, në krahun që ata përfaqësojnë, i cili është jashtë interest publik, dhe i përcaktuar politikisht.

Kjo dritare e re informacioni nëpërmjet portaleve, edhe pse po luan një rol për një audiencë aktive, ku secili pas një lajmi mundet të komentojnë, nuk duket se ka një impakt në interesin publik, pasi pas cdo portal rrinë në rolin e një “qeni roje” adminët, të cilët menjëherë ndërhyjnë kur audienca nuk është dakort me informacionin e dhënë nga portal përkatës, biles arrihet deri në bllokimin e përsonit që komenton jo sipas dëshirës së poseduesve të portalit. Përsëri kemi selektim preferencial, kontroll, jashtë interesit publik dhe profesional që duhet të ketë media dhe qëllimi i saj final në një botë te qytetëruar.

Lind pyetja, se si mundet të ndryshojë ky realitet? E vetmja rrugë është që mediat të kenë burime financiare jashtë sferës politike, jashtë interesave në tenderimet publike, jashtë familjaritetit dhe njohjeve brënda tyre. Krijimi i resurseve të tilla, me ta ardhura jo të kontrollueshme nga grupet e interesit, por vetë media të jetë një grup interesi publik, mund të arrihet kur lobingu mediatik te jete i unifikuar mes vetes së tyre, për të qenë ato sipërmarrës të realitetit vendas, ku të mund të përballojnë cdo presion që shkatërron qëllimin primar të lirisë mediatike, atë që e bën median të jetë si pushtet i katërt i funksionimit demokratik të një vendi!

Deri atëherë, na duhet të presim gjatë, deri sa mediat, të kuptojnë realisht se kanë mbi vete mision dhe jo bindje militariste ndaj pushteteve.
Shtuar më 26/04/2018, ora 20:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori