Testohen punonjësit e burgjeve për vendin e punës
Me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, të gjithë punonjësit e burgjeve do të testohen për vendin e punës. Nisur dhe nga rastet korruptive të hasura rast pas rasti në vendet e vuajtjes së dënimit, tashmë me urdhër të prerë të gjithë punonjësit e burgjeve, do t’i nënshtrohen testimit për vendin e punës.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, është shprehur se testimi ka nisur në 8 janar, me urdhër të ministrit të Drejtësisë Nasip Naço.

“Zhvillimi i një sistemi penitenciar transparent, bashkëkohor dhe të pacënueshëm nga korrupsioni, përbën sfidën kryesore të veprimtarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në veçanti lufta kundër korrupsionit në sistemin penitenciar vlerësohet e një rëndësie të veçantë.

Natyrisht që kjo sfidë nuk mund të perballohet pa mbështetjen e shume aktorëve, institucioneve apo individëve të ndryshem të interesuar në këto çeshtje. Me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë Nr. 106, datë 08.01.2015 “Për fillimin e procesit të testimit të nivelit aktual të aftësive profesionale, fizike dhe kontrollin psiko-social të punonjësve të Policisë së Burgjeve, të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, do të kryhet testimi i të gjithë punonjësve me uniformë në sistem.

Testimi do të fokusohet te vlerësimi i aftësive dhe njohurive profesionale, si dhe aftësive fizike”, ka deklaruar kreu i burgjeve. /albeu.com/
Shtuar më 16/01/2015, ora 16:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori