Me thuaj pasionin te te them dhuraten
Albeu.com
Është vërtetuar se njerëzit që bëjnë më shumë dhurata janë gratë, ndërsa më pak "bujarët" në këtë fushë janë meshkujt dhe femrat beqare (me vetëm 6.3 dhurata në vit).Te martuarat me te prirura per dhurime, meshkujt dhe femrat beqare me doreshtrenguarit



Është vërtetuar se njerëzit që bëjnë më shumë dhurata janë gratë, ndërsa më pak "bujarët" në këtë fushë janë meshkujt dhe femrat beqare (me vetëm 6.3 dhurata në vit). Pothuajse në të gjitha kulturat, dhurata shpreh një mënyrë për të treguar dashuri, miqësi dhe përkushtim. Në të vërtetë, më shumë rëndësi i jepet sinqeritetit të dhuratës, që mendohet se është bërë me gjithë zemër, që i pëlqen atij që e merr dhe që ka një vlerë afektive dhe simbolike. Po ashtu, janë të paktë ata që e konsiderojnë dhuratën një veprim të detyrueshëm, që i kushtojnë shumë rëndësi faktit për të treguar vlerën ekonomike të saj. Njerëzit pëlqejnë më shumë që të marrin një dhuratë që ka për ta vlerë afektive, shoqëruar kjo edhe me ndonjë mesazh të këndshëm. Kështu, edhe nëse dhurata që burri, i dashuri apo një i afërm i juaji u ka bërë nuk u pëlqen, në raste të tilla mund të thuhet "mjafton mendimi". Në Itali i kushtohet rëndësi edhe elegancës, cilësisë së dhuratës, thjeshtësisë dhe bukurisë së saj. Në këtë vend, 12 për qind e të pyeturve e riciklojnë dhuratën e pakëndshme, 6 për qind e flakin në plehra, ndërsa vetëm 1 për qind e shesin apo ua tregojnë të afërmve për t‘u "argëtuar" me të. 67 për qind e anglezëve mbështesin faktin se "është mendimi ai që ka rëndësi, duke pohuar se i vlerësojnë dhuratat e bëra me sinqeritet dhe entuziazëm, kurse në Gjermani mendojnë se një dhuratë e shtrenjtë nuk është domosdoshmërish e suksesshme. Të njëjtin mendim me gjermanët ndajnë edhe suedezët. Por, pavarësisht këtyre, ajo që është vërtetuar plotësisht është se ata që zgjedhin gjithmonë dhuratën e gabuar janë meshkujt. Të brendshme, aksesorë që nuk kombinohen lehtë, çanta, parfume, rruaza, objekte për shtëpinë, që shpesh janë jashtë shijeve të femrave. Kjo është ndoshta edhe arsyeja që meshkujt shpesh preferojnë të bëjnë dhurata shumë të shtrenjta për ta shmangur këtë. Megjithatë, edhe në raste të tilla jo gjithmonë arrijnë t‘ia dalin mbanë. Në të vërtetë, gojëdhënat apo legjendat e lidhura me dhuratat e papërshtatshme dhe ekstravagante kanë ekzistuar prej kohësh. Sipas tyre, thuhet se Mbretëresha Saba i dhuroi Mbretit Salomon 4 tonelatë e gjysmë me flori, kurse ai i dha në këmbim disa dhurata të tjera dhe premtimin se do të bënte gjithçka që ajo do të dëshironte. Nuk dihet nëse e ka mbajtur premtimin. Po ashtu, në vitin 177 pas Krishtit, Perandori Komodi, djali i Mark Aurelit, i dhuroi nuses së tij titullin Augusta. Ku i dihet, ndoshta kjo nuk ka qenë dhurata e duhur për të? Faktikisht nuk mund të jenë të gjithë me fat sa Jeniffer Aniston, Beyonce, apo Anna Falcci, që kanë marrë dhurata jo vetëm super të shtrenjta, por edhe super të bukura nga "shokët" e tyre.


Studimet

Në të vërtetë, stresi që pothuajse të gjithë kalojnë për të gjetur dhuratën e duhur për një mik, shok, të afërm apo njeriun e zemrës është bërë pre e studimeve të ndryshme. Kështu, ekspertët që shpjegojnë sjelljet shoqërore dinë të japin edhe arsyet. Sipas dy anketave të bëra nga "Tilburg University" në Holandë dhe "Katholieke Univerity" në Belgjikë, pas marrjes në pyetje të shumë çifteve të reja, rezultati ka qenë ky: Është më e lehtë të zgjedhësh dhurata për të tjerët, d.m.th. për një të huaj, se sa për gruan tënde. Kështu, njëri prej autorëve të këtij studimi, Luk Warlop, thotë se është gabim të mendosh se "kur njeh dikë mund të dish gjithçka për të". Por, nëse përmes këtyre anketave është zbuluar diçka, një studim analog i bërë nga gazeta për konsumin në Universitetin e Çikagos thotë se burrat duhet të përpiqen t‘i kuptojnë më mirë gratë e tyre, duke i bërë pyetje shumë kohë më përpara se sa të vendosin që të blejnë diçka, që asaj mund të mos i pëlqejë absolutisht. Sigurisht, kjo është e vetmja zgjidhje që duhet të bëjnë, nëse nuk mund të kenë dot luksin e shumë pasanikëve në Britani, që për t‘i bërë gruas së tyre dhuratën që u pëlqen marrin në punë këshilltarë të specializuar, të cilët i paguajnë më shumë se 200 sterlina në ditë. Në fund, ja edhe disa këshilla të çmuara për dhuratat me të cilat burrat mund t‘i lumturojnë njerëzit e zemrës.

1. Mirë do të ishte të dhuronit një parfum, sinonim i pasionit shoqëruar me një CD me këngë romantike dhe trëndafil të kuq.

2. Për të përkujtuar diçka në jetën tuaj në çift, dhurata më e bukur do të ishin aksesorët apo antikuarët e ndryshëm. Vetëm në këtë mënyrë ajo do të vazhdojë të kujtojë takimin e parë.

3. Nëse njeriu i zemrës kënaqet nga dhuratat fine, atëherë zgjidh një palë të brendshme të veçanta. Duhet të japin një mesazh të rëndësishëm. Përpiqu që mbi to të shkruash diçka që asaj i kujton një ngjarje të këndshme.

4. Një dhuratë mjaft e çmuar për të dashurën tuaj do të ishte edhe një lodër prej pellushi, e cila do të konsiderohet gjithnjë si një objekt jo vetëm fatsjellës, por edhe një garanci për jetëgjatësinë e lidhjes.

5. Një libër ose një album fotografish do të ishte ideale si dhuratë, edhe pse duket demode. Libri mund të kthehet në kultin e ditës suaj, duke zgjedhur fraza që do të kthehen në motivin e jetës, ndërsa albumi do t‘i fiksojë ato më së miri.


6. Një udhëtim i papritur do të ishte dhurata më e bukur për një çift të dashuruarish. Zgjidhni vende krejt të shkreta për të kaluar një kohë meditimi me vetveten dhe njëri-tjetrin.


Princi Karl, një dash dhe një dele për 60-vjetorin e Kamilës



Ka menduar t‘i bëjë një dhuratë të veçantë për ditëlindje të dashurës së zemrës së tij, Kamilës. Në fakt, të gjithë e keni kuptuar se bëhet fjalë për princin Karl, i cili kishte menduar se dhurata më e përshtatshme për t‘i bërë gruas së tij për festën e saj të lindjes do të ishte një dash dhe një dele, i një race të veçantë. Në të vërtetë, padyshim që kjo është dhurata më origjinale dhe më e çuditshme që dukesha e Cornwall-it ka marrë për 60-vjetorin e saj. Në fakt, i gjithë mendimi për një dhuratë kaq origjinale ka ardhur nga bashkëshorti i saj, Karli i Anglisë. Kështu, sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike "Daily Mail", trashëgimtari i fronit të Anglisë, njëkohësisht ka shpenzuar rreth 300 sterlina ose rreth 446 euro për çdo kafshë. Po sipas asaj që raportohet në gazetë, dukesha e Cornwall-it u entuziazmua shumë, edhe pse ato nuk ishin kafshët e para që do t‘u bashkoheshin atyre në "Birkhall", rezidenca e tyre skoceze. Në të kaluarën, ai kishte investuar rreth 10 mijë sterlina për dy poni të një lloji të rrallë. Sipas asaj që deklaroi një mikeshë e Kamilës, "princi dhe princesha janë shumë të shqetësuar për mbijetesën e specieve të rralla në Angli. Edhe pse kjo dhuratë shumë vetave mund t‘u duket një ide e çmenduar, për shumë të tjerë është fryt i një zgjedhjeje të menduar mirë". Para dy ditësh, Kamila e festoi ditëlindjen e saj në një atmosferë ndryshe: është gruaja e trashëgimtarit të fronit të Britanisë së Madhe, është pranuar nga familja mbretërore (mbi të gjitha nga William dhe Harry) dhe tabloidët duket se janë më të sjellshëm me të, madje edhe anglezët nuk po e gjykojnë më për keq. Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, 30 për qind e tyre janë pro për Kamilën si Mbretëreshë. Martesa e tyre - e zhvilluar në prill të 2005-ës, duket sikur e ka forcuar disi imazhin e monarkisë. Tani gjithçka duket larg nga ditët kur Diana e quante "rottweiler" dhe Karli me Kamilën ishin të detyruar të takoheshin fshehurazi për hir të dashurisë së tyre klandestine. Atë mbrëmje, për të festuar përvjetorin e 60 të familjes, princi organizoi një festë gjigante në kopshtin e rezidencës së tyre "Highgrove" në Gloucestershire. Numri i të ftuarve shkonte në 200, ndërsa menyja e zgjedhur për darkë ishte e përbërë tërësisht nga produkte agro-kulturore biologjike të ardhura nga ferma e princit Karl, e shoqëruar me shampanjë dhe me verë dhjetëravjeçare. Gazeta Shqip
Shtuar më 24/07/2007, ora 18:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori