Franca dhe Evropa po shkojnë drejt një rënieje të madhe

Nga Gavin Mortimer “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Shumë udhëheqës shtetesh nga bota e tretë ndodhen në Paris për një samit të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Synimi i konferencës – ose i Samitit për një Pakt të Ri Financimi Global – është “të adresojë nevojat e vendeve në zhvillim në luftën kundër varfërisë”.

Por a është Franca, dhe në fakt edhe pjesa tjetër e Perëndimit në pozitën për t’u dhënë këshilla vendeve në zhvillim? Ditët kur kontinenti ishte në gjendje t’i jepte leksione vendeve në zhvillim mbi efikasitetin, integritetin dhe prosperitetin, kanë ikur prej kohësh.

Ishte tepër ironik fakti që në prag të samitit, Parisi u trondit nga një shpërthim i madh gazi që shkatërroi një godinë në lagjen nr.5, duke plagosur dhjetëra banorë. Ky është incidenti i dytë i tillë vitet e fundit. Në vitin 2019, 4 parizienë u vranë kur një rrjedhje gazi hodhi në erë ndërtesën e tyre, duke nxitur paralajmërime nga politikanët lokalë dhe shefat e shërbimit zjarrfikës se gjendja e rrënuar e 2000 km tubacioneve të gazit ishte “problemi nr.1 në Paris”.

Një nga ata politikanë, Alexandre Vesperini, shprehu keqardhjen e tij pas shpërthimit të së mërkurës, pse paralajmërimet nuk ishin “dëgjuar si duhet”. Por Parisi nuk është i vetmi qytet francez që shfaq shenjat e moshës së tij. Gjashtë persona në Marsejë humbën jetën në prill të këtij viti, kur u shemb pallati i tyre, duke kujtuar një incident në të njëjtin qytet në vitin 2018, kur numri i viktimave ishte 8.

Tragjeditë janë vetëm shembuj që ilustrojnë një ndjenje në rritje në Francë të një fenomeni të njohur si “tiers-mondisation”- Shndërrimi në një Botë të Tretë. Alarmi është dhënë që në vitin 2010 nga historiani Alain-Gérard Slama. Në një shkrim për Le Figaro, ai parashikoi se jo vetëm Franca, por e gjithë Evropa ishte në procesin e “Shndërrimit në një Botë të re të  Tretë”.

Duke shkruar në kulmin e krizës financiare të vitit 2008, Slama pyeti “nëse demokracitë tona të vjetra, të përballura me një tronditje ekonomike, sociologjike, demografike dhe intelektuale të paprecedentë në 70 vitet e fundit, janë në rrezik të evoluojnë në një drejtim të krahasueshëm… me atë fisnor dhe model arbitrar që po pengon zhvillimin e shumicës së vendeve të Botës së Tretë”.

Kriza 2008-ës, ishte vetëm e para ndër shumë goditje që ka pësuar Perëndimin, ku secili i ka dobësuar më tej themelet e tij. Rrëzimi nga pushteti i kolonel Gaddafit në Libi në vitin 2011, përshpejtoi krizën e parë të madhe të emigrantëve, dhe Angela Merkel provokoi të dytën 4 vjet më vonë kur hapi kufijtë e Evropës ndaj më shumë se 1 milionë emigrantëve. Terrorizmi islamik ka shkaktuar qindra të vdekur; bllokimet e Covid-19 shkaktuan dëme ekonomike, mendore dhe sociale të pariparueshme. Fiksimi pas mjedisit po rinxjerr na pah ndarjet klasore; radikalizmi progresiv po nxit tensione identitare ndërsa lufta në Ukrainë ka rritur çmimet e energjisë dhe inflacionin.

Franca ndodhet në epiqendrën e këtyre valëve tronditëse, dhe një numër në rritje analistësh të shquar po paralajmërojnë se kulturalisht dhe ekonomikisht se vendi gjendet përballë një rreziku të madh. Në një intervistë të kohëve të fundit, ekonomistja Agnes Verdier Molinié, paralajmëroi se “Franca është në prag të falimentimit”, dhe se kostoja vjetore e borxhit të saj do të arrijë në 70 miliardë euro në vitin 2024.

Ndërkohë, infrastruktura bazë e Republikës – arsimi, shëndetësia, gjyqësori dhe transporti – po vazhdojnë të degradojnë dhe siç shprehet Molinié, gjithnjë e më shumë francezë po pyesin pse po taksohen kaq shumë për kaq pak në këmbim. Problemet po shtohen edhe në aspektin social.

Përveç luftërave midis bandave të drogës që po zhvillohen në rrugët franceze, të cilat që nga fillimi i këtij viti kanë shkaktuar më shumë se 150 të vdekur ose të plagosur, dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga ekstremistët islamikë (këtë javë 2 të rinj u arrestuan me dyshimin se planifikonin një sulm terrorist), ajo që po e dobëson më shumë moralin e kombit është dhuna e përditshme.

Krimi i dhunshëm është bërë aq i zakonshëm saqë bëhet lajm vetëm nga incidentet më tronditëse: vrasja e një mësueseje në klasën e saj, therja me thikë e disa të fëmijëve të vegjël në një shesh lojërash në Annecy në filim të këtij muaji apo sulmi brutal ndaj një pensionisteje dhe mbesës së saj 7-vjeçare që u kap në kamera në Bordeaux këtë javë.

Ajo që është e vërtetë për Francën vlen edhe për Britaninë, një vend që gjithashtu ndihet sikur është në një rënie përfundimtare, për shkak të një keq-menaxhimi ekonomik dhe social. Shumë të rinj ambiciozë mendojnë po kështu, prandaj emigrojnë në Australi, Zelandën e Re, Dubai apo Shtetet e Bashkuara.

Në vend të tyre vijnë dhjetëra mijëra të rinj nga Azia Juglindore, Lindja e Mesme dhe Afrika Sub-Sahariane. Shumë prej tyre janë emigrantë ekonomikë, të gatshëm të punojnë gjatë dhe fort, diçka që të rinjtë perëndimorë nuk e duan më.

Nivelet e mungesave arritën nivele rekord në Britani dhe Francë vitin e kaluar, me të hënën dhe të premten që janë ditët kur punëtorët mungojnë. Për pasojë, po bie produktiviteti në të dyja vendet. Në rastin e Britanisë, rritja e prodhimit për orë pune parashikohet të jetë mesatarisht 0.25 për qind në vit gjatë 3 viteve të ardhshme, nga 2 për qind në dekadën e parë të këtij shekulli.

Apatia e Evropës përputhet vetëm me mendjemadhësinë e saj. Dhe hipokrizia e Perëndimit, standardet e dyfishta dhe së fundmi, përqafimi i dogmës progresive që bie ndesh me besimin fetar të pjesës më të madhe të Botës së Tretë, nënkupton se moralizimi i tyre bie gjithsesi në vesh të shurdhër.

Kina dhe Rusia janë mentorët e tyre të rinj. Në librin e tij të vitit 2005, “Rënia e Romës dhe fundi i qytetërimit”, historiani Bryan Ward-Perkins e mbyll me një paralajmërim për Perëndimin: “Para rënies romakët ishin po aq të sigurt sa ne sot, se bota e tyre do të vazhdonte përgjithmonë dhe në thelb e pandryshuar. E patën gabim. Do të ishim të mençur të mos përsërisnim vetëkënaqësinë e tyre”. Në fakt po bëjmë të njëjtën gjë, dhe për pasojë Evropa po shkon drejt një rënieje shumë të keqe. /albeu.com


Shtuar 24.06.2023 10:01