Me teleferik te Kryqi i Mileniumit
Albeu.com
Me një ceremoni fetare ortodokse, kryeministri Maqedonas, Nikola Gruevski, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, ministra dhe zyrtarë të VMRO-DPMNE, përuroi të dielën fillimin e punimeve për ndërtimin e teleferikut drejt Kryqit në lagjen Vodno të Shkupit, që do të kushtojë 6.7 milionë euro.
Sic njofton Ina, paratë e siguruara nga buxheti i shtetit dhe me miratimin e qeverisë mundësuan vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e teleferikut që çon nga pjesa qendrore e Shkupit drejt “Kryqit të Mileniumit”, në Vodno.

Kryeministri Gruevski, pa praninë e asnjë komuniteti tjetër fetar, e as të partisë shqiptare në pushtet, BDI, vendosi gurthemelin për teleferik dhe mbajti një fjalim për kryqin në Vodno.

“Ndërtimi i teleferikut do të mundësojë qasje drejt objektit më të lartë në Maqedoni, Kryqit të Mileniumit, i cili kohëve të fundit është shndërruar në një simbol identifikues të Shkupit. Projekti me vlerë prej 6.7 milionë eurosh do të realizohet në dy faza, ndërkaq ndërtimet pritet të përfundojnë në fund të vitit", tha Gruevski.

Nga partia shqiptare në pushtet, BDI, është nënvizuar se aprovimi i këtij projekti ka kaluar gjatë periudhës së qeverisjes së PDSH. Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë, Shefik Duraku, projekti ka kaluar gjatë vitit 2008, kur pjesë e Qeverisë së Maqedonisë ka qenë Partia Demokratike Shqiptare (PDSH). Rrjedhimisht, Duraku ka sqaruar se dëmi i shkaktuar nga realizimi i këtij projekti vjen nga kjo parti, ngase është treguar e papërgjegjshme gjatë qeverisjes së saj, shkruna sot agjencia Ina.
Shtuar më 04/05/2010, ora 02:26
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori