Me shumicë votash, Agim Çeku u zgjodh kryeministër i Kosovës
Albeu.com
Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime Kuvendi i Kosovës zgjodhi sot Agim Çekun, kryeministër të Kosovës ndërsa Kolë Berishën Kryetarë të Kuvendit.Vendimi është marrë pas debatit të gjerë parlamentar. Çeku tha se do të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime etnike. Ai u angazhua për zhvillim ekonomik dhe ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës.


“Do të përqendrohemi në zhvillimin e institucioneve, mirëqenien e qytetarëve, forcimin e stabilitetit politik, dinamizmin e përmbushjes së standardeve etj” tha Çeku.


Kolë Berisha u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës pika të rendit të ditës ishin zëvendësimi i dy anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, përfshirë edhe kryetarin e kuvendit, Nexhat Dacin dhe pika e dytë -votimi për kabinetin e ri qeveritar, të mandatarit Agim Çeku. Duke proceduar sipas pikës së parë të rendit të ditës, deputetët me shumicë absolute të votave kanë zëvendësuar Nexhat Dacin me Kolë Berishën.


Gjatë votimit 2 vota ishin kundër, ndërsa 3 deputetë kanë abstenuar nga votimi. Në fjalën e tij para deputetëve, me rastin e inaugurimit për kryetar të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, pasi ka falënderuar deputetët për besimin e dhënë dhe partinë e tij /LDK/ për nominim në këtë post të rëndësishëm, ka deklaruar se në këtë detyrë tejet të përgjegjshme do të angazhohet me tërë fuqitë e tij mendore e fizike. Pas pikës së parë të rendit të ditës, në kuvend është dhënë një pauzë deri në orën 12:00, ndërkohë që Kryesia e Kuvendit është mbledhur për një takim të shkurtër, në përbërje të re, para se të fillojë shqyrtimi i pikës së dytë të rendit të ditës të seancësës së sotme, votimi për kabinetin e ri qeveritar të mandatarit, Agim Çeku.
Shtuar më 11/03/2006, ora 09:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori