Me Serbine vetem protokoll ndershteteror
Albeu.com
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës nuk duan të besojnë se EULEX mund të nënshkruaj protokollin me Serbinë pa pëlqimin e tyre. Por, nëse do të ndodhte kjo, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se protokolli nuk do të mund të zbatohej në Kosovë. Qeveria e Kosovës pranon vetëm protokoll ndërshtetëror me Serbinë.Qëllimi i Yves de Kermabon që përmes konsultimeve shtesë me zyrtarë të institucioneve të Kosovës të marrë aprovimin për nënshkrimin e protokollit policor me Serbinë duket krejtësisht i parealizueshëm.

Shefi i EULEX’it ka paralajmëruar se do të vazhdojë diskutimet me përfaqësues të institucioneve të Kosovës me qëllim të gjetjes së gjuhës së përbashkët për realizimin e marrëveshjes.

Ai sot pritet të takohet me Kryeministrin Hashim Thaçi, që është takim i tyre i rregullt që mbahet çdo të hënë. Veç kësaj, zëdhënësja e EULEX’it, Karin Limdal, ka thënë se priten konsultime edhe në nivele tjera mes Misionit të BE’së dhe institucioneve kosovare.
“Aranzhimet teknike janë në tryezë dhe konsultimet me Qeverinë e Kosovës do të vazhdojnë”, ka thënë ajo, të dielën për Express.

Megjithëkëtë, duket se këto konsultime do të jenë të kota sepse Qeveria e Kosovës thotë se nuk pranon që bashkëpunimi policor mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruhet nga EULEX dhe Beogradi.

“Ne nuk kemi hy në përmbajtjen e dokumentit, por qasja e tillë që EULEX të bëjë marrëveshje me Serbinë për ne është e papranueshme. Po ashtu është e papranueshme çdo lloj marrëveshje që krijon iluzion që Serbia ka ndikim në një mënyrë ose tjetër në ndonjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, të dielën, për Express.

Nëse Beogradi dëshiron të ketë protokoll policor me Kosovën, që përveç tjerash e ka kusht për të hyrë në “Schengenin e bardhë”, këtë mund ta bëjë vetëm me Prishtinën zyrtare dhe jo me praninë ndërkombëtare në vend.

“Kosova dhe Qeveria e Kosovës ka qëllim të krijojë raporte të mira me të gjithë fqinjët. Nëse do të ishte si një raport apo protokoll ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, ngjashëm si me çdo shtet tjetër sovran, ne do të ishim në gjendje të bënim një gjë të tillë. Pastaj do të diskutonim për përmbajtjen e atij protokolli. Por në çdo rast tjetër për neve është i papranueshëm”, ka thënë Kuçi.

Derisa institucionet e Kosovës po betonojnë qëndrimin refuzues ndaj çdo lloj protokolli jo-shtetëror, EULEX nuk deklarohet nëse do të nënshkruante njëanshëm marrëveshjen me policinë serbe, pa pëlqimin e Prishtinës.

Nëse do të ndodhte kjo, atëherë, sipas zyrtarëve kosovarë, protokolli do të mbetej i pazbatueshëm.

“Unë nuk dua të besoj që EULEX’i do ta bëjë një veprim të tillë. Për dy arsye kryesore: E para, EULEX’i nuk ka mandat (për këtë), ngase ai e ka rolin mbikëqyrës në Kosovë. Ndërsa, e dyta, që është shumë me rëndësi, është se ajo nuk do të jetë e implementueshme dhe e pranueshme për Kosovën, pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.

I pyetur për konsultimet shtesë me EULEX’in, rreth çështjes së protokollit me Serbinë, ai thotë se nuk do të pranohet asgjë që do të lëndonte sovranitetin e Kosovës.

“Mendoj se Presidenti dhe Kryeministri e kanë qëndrimin e qartë dhe ne do të mbështesim ato qëndrime, por nuk duhet të krijohet iluzion që ne do të pranojmë në asnjë rast, asnjë lloj protokolli që do të mund ta lëndonte sovranitetin e Republikës së Kosovës apo të krijonte perceptim se dikush tjetër ka ndikim në territorin e Republikës së Kosovës”.

Kundër protokollit që anashkalon institucionet kosovare janë deklaruar edhe partitë opozitare në Kosovë. Këtë marrëveshje e konsiderojnë të papranueshme edhe liderë radikalë të serbëve të veriut të Kosovës.

Ndërkaq, zyrtarë të Beogradit deklarojnë se drafti është hartuar dhe pritet vetëm nënshkrimi. (Nga Bekim Greiçevci, express)
Shtuar më 24/08/2009, ora 17:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori