Me rastin e ceremonisë mortore të Hoxhe Jakup ef. Hasipit
Albeu.com
Varrimi përpos ceremonisë fetare duhej të bëhej edhe me praninë e një strukture të bashkëluftëtarëve të tij në krye me Ali Ahmetin, me deputetët dhe ministrat që tani mburren me veprën e dëshmorëve.nga Muhamed JUSUFI-KAJOLLI *
Mburren me veprat e atyre që i votuan për në funksione që tanimë ata i gëzojnë. Këta të fundit jo që nuk u morën me organizimin e varrimit të dëshmorit të Allahut dhe kombit, por ata nuk u paraqitën fare në foltore.

Me shumë dhembje dëgjova lajmin e aksidentit dhe pas pak edhe për vdekjen e hoxhës së nderuar Jakup ef. Hasipit. Meqenëse si besimtarë e kemi në ndërdijen tonë, se momenti i vdekjes është i caktuar dhe një ditë do ta dorëzojmë amanetin që e kemi pranuar prej Allahut, e përmbajta veten. U luta, duke shpresuar se na ka bërë hallall për sa ishim së bashku dhe inshalla Allahu e ka pranuar si dëshmor.

Jakup efendiun e njohim si hoxhë të devotshëm dhe si guximtar. Ai këto cilësi, jo vetëm që i dëshmoi me fjalë por edhe me vepër. Qëndrimet e tij të pa luhatura e bënin bindës përpara masës besimtare dhe jobesimtare. Secili që e ka njohur atë, dëshmon se ishte i papërtueshëm dhe i gatshëm në çdo kohë ta tregonte në vepër. Kështu kur erdhi koha e dëshmive fizike kundër padrejtësive që ushtronin serbët në Kosovë dhe maqedonasit në Maqedoni, ai veshi uniformën dhe u rreshtua me djelmoshat që tronditën diplomacitë lindore e perëndimore.

Për veprën e tij do të flitet dhe shkruhet shumë. Ishte njeri që duhet kujtuar edhe për shumë kohë dhe atë ia kanë borxh bashkëveprimtarët e tij. Borxh ia kanë kohanikët e tij të profesionit, xhemati dhe bashkëluftëtarët. Faza e parë u dëshmua si e suksesshme me prezencën e tyre gjatë ceremonisë së varrimit të tij. Kuptohet këtu ka pasur edhe përjashtime që me kohë do të sqarohen arsyet, por prezenca prej 25-30 mijë fillimisht mjafton për të vlerësuar se faza e parë doli e suksesshme. Besimtarët nuk kishin parë ndonjëherë numër kaq të madh individësh të tubuar për një hoxhë. Jo vetëm për hoxhë por edhe për ndonjë aktivitet festiv tjetër nuk ka pasur tubim kaq masiv. Pjesëmarrja e tyre jep sinjale të qarta për ata që ndërtojnë vizione për të ardhmen e popullit. Jep sinjale për udhëheqësit e partive politike të cilët në një mënyrë ose tjetër mundohen ta injorojnë kontributin e faktorit fetar islam.

Mungoi organizimi i mirëfilltë

Oraganizimi ishte bërë nga bashkëfshatarët e merhumit, Zoti e mëshiroftë atë. Gjithashtu i shpërbleftë Zoti organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit që u lutën për të. Ishte mbi mundësitë e organizatorëve që t’i përcillnin ashtu siç duhej dhe ashtu siç meritonte prezenca e atyre që kishin shprehur dëshirën për t’ia dhënë lamtumirën e fundit nga kjo dynja hoxhës së tyre. Duke pasur parasysh mundësitë e një fshati, organizimi ishte në formën më të mirë të mundshme. Por ajo që dua të them është: vallë e kishin për detyrë bashkëfshatarët e merhumit ta bënin organizimin? Vallë, i mbetet të organizojë fshatit, prezencën e dhjetëra mijë njerëzve? Nëse një tubim i rastit bëhet në një qytet, mobilizohet i tërë ekipi i rendit dhe organet tjera të pushtetit komunal. Nëse një qytet e ndien nevojën e organizimit, a thua çfarë organizimi duhet të bëhet për fshatrat kur vërshojnë njerëzit. Duke qenë besimtarë të mirëfilltë, u treguan një veti e vetorganizimit të lartë. Zoti i shpërbleftë.

Kush duhej të organizonte

Me këtë pyetje nuk dua të fajësoj askënd, por po mundohem të jap një pasqyrë më të qartë për të ardhmen. Besimtarët mysliman aktiv, nuk kanë besuar se numri tyre është kaq i madh. Ata asnjëherë nuk kanë menduar se do të vinte dita të mendojnë për një mikpritje kaq masive. Pra, ka ardhur koha që edhe ne duhet të mendojmë për mikpritje të tilla siç ishte ceremonia mortore e efendiut nga Kumanova. Në këtë rast kush duhej ta bënte organizimin e varrimit?
Mendoj se organizimin duhej ta bënin organet në të cilat merhumi ka qenë i angazhuar dhe pushteti lokal. Jakup efendiu para se të ishte hoxhë i fshatit, ishte myfti i rrethit të Kumanovës. Me këtë dua të them se organizimi i takonte myftinisë së Kumanovës e jo bashkëfshatarëve. Përderisa merhumi ishte myfti i Kumanovës, ai drejtpërdrejtë ishte i angazhuar në Bashkësinë Islame të Maqedonisë (BIM), dhe me këtë rast organizimi do t’i takonte edhe BIM-it. Gjithashtu merhumi ishte pjesëmarrës aktiv në luftën maqedono-shqiptare të vitit 2001, dhe kështu angazhimet e tij e bënin atë që me organizimin e varrimit të tij të merreshin edhe veteranët e UÇK-së e jo vetëm BIM-i.

Varrimi përpos ceremonisë fetare duhej të bëhej edhe me praninë e një strukture të bashkëluftëtarëve të tij në krye me Ali Ahmetin, me deputetët dhe ministrat që tani mburren me veprën e dëshmorëve. Mburren me veprat e atyre që i votuan për në funksione që tanimë ata i gëzojnë. Këta të fundit jo që nuk u morën me organizimin e varrimit të dëshmorit të Allahut dhe kombit, por ata nuk u paraqitën fare në foltore. Meqenëse ishte pjesëmarrja shumë e madhe nuk di nëse kishin prezantuar fizikisht ose jo, por përderisa nuk u anashkaluan për të folur shumë personalite nga Shqipëria, Kosova dhe BIM-i mendoj se edhe këta nuk do të ishin anashkaluar.

Kjo ceremoni mortore na mësoi shumë gjëra. Uroj që All-llahu ta shpërblejë me xhenetin Firdeus hoxhën e respektuar sepse vepra e tij na mundësoi që edhe për së vdekuri të marrim mësim nga ai.

Kumanovë, 8.01.2006
* Autori i tekstit është Drejtor i Shoqatës Kulturore “Zëri Ynë”
Shtuar më 10/01/2006, ora 10:47
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori