Mbytja e varkës pranë Lampedusas, vdesin 41 emigrantë

41 emigrantë vdiqën pasi një varkë e vogël, e cila u nis nga Sfax në Tunizi, u përmbys disa ditë më parë ndërsa lundronte në ngushticën e Siçilisë.

Nga varka kanë mbijetuar vetëm 4, tre burra dhe një grua. Mëngjesin e sotëm ata janë transferuar në bregdet me skafin e patrullës së Rojës Bregdetare CP327.

Të 4 të mbijetuarit, me origjinë nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea Konakry, zbarkuan në Lampedusa.

Katër të mbijetuarit u thanë ushtarëve të rojes bregdetare se 45 prej tyre u larguan nga Sfax, duke përfshirë 3 fëmijë, të enjten.

Pas rreth 6 orësh lundrim, varka metalike prej 7 metrash u përmbys për shkak të një dallge të madhe. Të gjithë emigrantët, sipas të mbijetuarve, përfunduan në det.

Vetëm 15 kishin jelek shpëtimi, por gjithsesi u mbytën. Të vdekurit, sipas dëshmive të tre burrave dhe gruas në gjendje shoku, janë 41, mes tyre 3 fëmijë.

As anija me flamur malteze, transportuesi me shumicë “Rimona” që i shpëtoi, as varkat e patrullës së Rojës Bregdetare nuk panë asnjë trup./albeu.com

 


Shtuar 9.08.2023 10:32