Me padurim pritet 5 korriku
Pëlqej
Albeu.com
Partitë shqiptare të etshme për zgjedhje. Pas konsitutimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, të gjitha partitë politike shqiptare duan që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë. Sipas tyre, çdo vonesë nuk është në dobi të qytetarëve.Pas formimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) partitë politike shqiptare i janë përveshur punës për organizimin e fushatës zgjedhore. Ndërkaq, njëzërit janë shprehur se preferojnë që zgjedhjet parlamentare të caktohen para përfundimit të rregullt të mandatit. Periudha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare është fillimi i muajit korrik, respektivisht, termini i paralajmëruar për 5 korrik. “Vlerësojmë se zgjedhjet duhet të mbahen para pushimeve verore me qëllim që muajt e verës të shfrytëzohen për bisedimet rreth koalicioneve dhe formimit të Qeverisë së re”, tha për “Lajm” nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Rafiz Haliti.
Sipas tij 5 korriku mbështetet si nga faktori ndërkombëtar, ashtu edhe nga shumica e aktorëve politikë në vend. Megjithatë, në BDI thonë se do ta shfrytëzojnë mandatin deri në ditën e shpërbërjes së Parlamentit. Në agjendën e saj para zgjedhjeve, kjo parti ka Ligjin për gjyqësi me çfarë do të kërkojë krijimin e Gjykatës së Lartë në Tetovë dhe Gjykatën e Apelit në Gostivar.
“Sugjerimet e ndërkombëtarëve janë që zgjedhjet të mbahen para pushimeve. Si duket problemi qëndron te Qeveria”, deklaroi zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ymer Aliu. Ai vlerëson se funksionarët e kësaj partie intensivisht punojnë në terren duke ndërmarrë një fushatë të gjerë, të përmbushur me takime me qytetarët. Aliu thotë se ekipe të ekspertëve të ndryshëm të kësaj partie, punojnë intensivisht për hartimin e platformës e cila sipas tij do të sjellë shumë risi.
Edhe në Partinë për Prosperitet Demokrati (PPD) pas konstituimit të KSHZ-së, presin shpalljen e datës së zgjedhjeve. Në këtë parti punojnë intensivisht në krijimin e shtabeve zgjedhore dhe hartimin e platformës me të cilën do të paraqiten para elektoratit. “Ne jemi të gatshëm që zgjedhjet të mbahen para verës. Ne do të përkrahim datën e 5 korrikut e cila më së shumti përmendet”, thotë nënkryetari i PPD-së, Ismet Ramadani. Sipas tij partitë e pushtetit do të taktizojnë për të zgjedhur momentin më të volitshëm për shpalljen e zgjedhjeve. Ai vlerëson se çdo vonesë do të shkaktonte nervozizëm në ambientin politik.
nga QASHIF BAKIU, Lajm
Shtuar më 18/04/2006, ora 10:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori