Ballkani i Hapur, Zheji akuza Ramës: Po bën lojën e Vuçiçit, po tenton të ndajë gjeografikisht Shqipërinë nga Kosova

Me 7 dhe 8 qershor u mbajt samiti i radhës “Ballkanit të Hapur”, ku janë 5 vende të rajonit që kanë marrë pjesë, Shqipëria, Serbia, Maqedoninë e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina, por mungon Kosova.

Në vazhdën e temës së ditës, atë të samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër, analisti Artur Zheji u shpreh se kryeministri Edi Rama është duke fyer rëndë Kosovën.

I ftuar në në një emision televiziv, ai u shpreh se me Kosovën na kanë ndarë me armë, por asnjëherë në këtë mënyrë që po bën kryeministri Rama, të cilën e etiketon si cinike.

Gjithashtu ai tha se kryeministri do të luaj aktorin e një vizionari përtej kufirit.

“Na kanë ndarë me armë nga Kosova, por asnjëherë me cinizëm dhe mendje madhësinë e një kaposhi të fryrë që i jep vetes të drejtë të ndajë gjeografikisht Shqipërinë nga Kosova. Shqipëri në mungesë të Kosovës, është e turpshme, sulm i rëndë ndaj Kosovës, dhe më vjen mire që në Kosovë ka vetëpërmbajtje për këtë tentativë për aksion gjeopolitik. Rama do të luaj aktorin e një vizionari përtej kufirit. Është fyerje në publik që i bëhet vazhdimisht Kosovës”, u shpreh ai. Duke u nisur nga letra e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Zheji tha se del dhe koncepti i vetëpërmbajtjes së tij. Zheji tha që liberalizimi i tregjeve është në favor të Serbisë e cila do ta dëmtonte tregun e Kosovës me mallrat e saj, dhe se Rama po i jep një dorë Vuçiçit. “Stili i Albin Kurtit është një lloj stili si një lloj velloje. Nuk do përplasjen me Ramën se nuk do përplasjen me Shqipërinë. Interesi i Kosovës nuk bëhet me Vuçiç. Vuçiç nuk e njeh Kosovën në asnjë dimension, nuk njeh asnjë dokument zyrtar. Liberalizimi i tregjeve është në favor të Serbisë, do mbyste tregun e Kosovës me mallra serbe. Fitimi do ishte në Serbi dhe këtu vllau nga Tirana i jep një dorë vllaut në Serbi, jo vllaut në Prishtinë”, tha Zheji. Sipas analistit, Rama bën diversionin që e tërheq Vuçiçin në marrëdhënie ballkanike, por se Vuçiç është më dinak dhe e përdor Ramën si mjeshtër kozmetike për interesat e Beogradit zyrtar. “Ndoshta Rama vazhdon me kokëfortësi të çojë përpara një iniciativë i bindur se po punon në dy nivele. Gjoja ky bën diversionin që e tërheq Vuçiçin në marrëdhënie ballkanike. Vuçiç është për fat të keq më dinak se Rama dhe përdor Ramën si mjeshtër kozmetike. Rama po i bën make-up-in rajonal Vuçiçit dhe po shërben më shumë interesave të Beogradit se të Prishtinës”, tha analisti Artur Zheji.