Me këtë kushtetutë s'ka shqip
Albeu.com
Dush i ftohtë për Ali Ahmetin. Ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar nga BDi, kanë vlerësuar se Kushtetuta aktuale pamundëson përdorimin e gjuhës shqipe në nivel të barabartë me maqedonishten.Ekspertët ndërkombëtarë nga Belgjika, Zvicra dhe një profesor maqedonas i të drejtës kushtetuese, të angazhuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për përgatitjen e propozim ligjit për përdorim të gjuhëve, kanë vlerësuar se kushtetuta aktuale pamundëson përdorimin e gjuhës shqipe në nivel të barabartë me maqedonishten.
Në bazë të një ekspertize tre javore që i kanë bërë kushtetutës së Maqedonisë dhe Marrëveshjes së Ohrit ata kanë ardhur në përfundim se gjuha shqipe mundet të arrijë nivel të barabartë me maqedonishten vetëm nëse ndryshon neni 5 i Kushtetutës. Ekspertët, duke interpretuar Marrëveshjen e Ohrit, kanë shprehur bindjen se me një interpretim më liberal të neneve 6.4 dhe 6.5 të saj, lënë hapësirë për barazim të shqipes me maqedonishten.
BDI-ja nuk dëshiron ta bëjë publike analizën e ekspertëve. Burime partiake thonë se ekspertët kanë vlerësuar se amendamenti 5 i Kushtetutës nuk nënkupton përdorim të barabartë të gjuhës shqipe në Qeveri, ushtri, polici dhe në komunikim ndërkombëtar, prandaj kanë sugjeruar ndryshim të Kushtetutës.
“Nëse ka arritur ndonjë analizë e këtillë te kryetari Ahmeti, kjo s’do të thotë se ne do ta pranojmë mendimin e tyre. Ne mbetemi në qëndrimin se gjuha të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve po ashtu është gjuhë e dytë zyrtare”, tha zëdhënësi i BDI-së, Agron Buxhaku. Sipas tij nuk ka asnjë vend në Evropë në të cilin gjuha që e flasin 25 për qind e qytetarëve të mos jetë gjuhë zyrtare.
Dyshohet se ekspertiza e ekspertëve ndërkombëtarë ka qenë shkak që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka hequr dorë lehtë nga synimi për sjelljen e ligjit për gjuhët para zgjedhjeve parlamentare.
nga Isen Saliu, Lajm
Shtuar më 13/03/2006, ora 10:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori