“Përdorimi masiv” i telefonave celularë nga forcat ruse çoi në sulmin vdekjeprurës të Vitit të Ri të Ukrainës ndaj kazermave ushtarake në një qytet të kontrolluar nga Moska në Ukrainën lindore, tha Ministria ruse e Mbrojtjes mëngjesin e të mërkurës, sipas orës lokale.
“Tashmë është e qartë se arsyeja kryesore për atë që ndodhi ishte ndezja dhe përdorimi masiv – në shkelje të urdhërit ndalues – nga personeli i telefonave celularë në një zonë të arritshme nga armët armike”, u shpreh ministria ruse nëpërmjet një deklarate.
“Ky faktor i lejoi armikut të gjurmonte dhe të përcaktonte koordinatat e vendndodhjes së ushtarëve për një sulm me raketa,” thuhet më tej në deklaratë.
Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin në Makiivka të hënën. Forcat ruse kontrollojnë qytetin dhe e kishin kthyer një shkollë në kazerma ushtarake.
Gjeneral-lejtnanti rus Sergei Sevryukov tha në një deklaratë të filmuar të qarkulluar nga ministria të mërkurën se numri i të vdekurve ishte rritur në 89, nga 63 të njoftuar të hënën. Ai tha se më shumë trupa ishin gjetur nën rrënojat e ndërtesës, raportoi agjencia e lajmeve Agence France-Presse.
“Një komision po punon për të hetuar rrethanat e asaj që ka ndodhur”, tha ai.
Korrespondentët rusë të luftës thanë se njësitë ushtarake në lagjet e Makiivkas përbëheshin kryesisht nga rusë të sapomobilizuar, njoftoi agjencia e lajmeve AFP. Ata shtuan se ushtarët ishin të vendosur në një ndërtesë të pambrojtur që u shkatërrua për shkak se municionet e ruajtura në objekt shpërthyen gjatë sulmit.
Të martën, familjarët në zi u mblodhën në disa qytete të rajonit të Vollgës në Samara, nga kishin prejardhjen disa nga ushtarakët.
Forcat ruse kryen sulme ajrore në zona të shumta në Ukrainë gjatë natës, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se Rusia mund të intensifikojë sulmet me dronë të prodhuar nga Irani. Ndërkohë, forcat ruse vazhduan edhe sot bombardimin e disa qyteteve ukrainas në rajonin lindor të Donetksut. Përmes një fushate afatgjatë të sulmeve me dronë, Rusia synon të rraskapitë popullin ukrainas dhe të shkatërrojë mbrojtjen ajrore të vendit, tha presidenti Zelensky.