Tensionit brenda kampit stërvitor të United, “përplasje” Ronaldo-Ten Hag: Është “kokëfortë”

Cristiano Ronaldo është duke kaluar momentin më të vështirë në gjithë karrierën e tij me Manchester United.

Në fakt situata e portugezit filloi të “turbullohej” që gjatë verës, pasi sulmuesi kërkoi me ngulm largimin nga “Old Trafford” për shkak se skuadra nuk ishte kualifikuar në Champions League.

“Djajtë e Kuq” nuk dëshironin që ai të largohej, por edhe mungesa e ofertave nga klubet të cilat Ronaldo synonte e “detyruan” atë të vazhdojë në Manchester duke iu bashkuar skuadrës shumë vonë dhe duke humbur gjithë parasezonin.

Legjenda e Portugalisë nuk i ka marrëdhëniet aspak mirë edhe me teknikun Ten Hag, pasi holandezi ka preferuar që ta lejë në stol “7” dhe në vend të tij të nisë titullar Marcus Rashford. A mund ta pranojë një nga lojtarët më të mirë të historisë? Normalisht që jo, aq më tepër duke njohur karakterin e Cristianos.

Ronaldo ka nisur të ankohet për cilësinë e stërvitjes së teknikut të Manchester United, duke e konsideruar si “kokëfortë” dhe sipas The Times, shpesh gjatë seancave stërvitore kanë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.

Kujtojmë që CR7 e ka ende mendjen te gjetja e një destinacioni të ri dhe këtë preferon ta bëjë që në merkaton e janarit./albeu.com