Tre tradhëtitë e mëdha të FSHF-së ndaj tifozëve

Nga Jeton Selimi

Në të vërtetë për të renditur mëkatet e qeverisë së futbollit do të duhej një bllok i trashë nga ata të magazinave, por me formulën “çudia më e madhe tri ditë zgjat” të FSHF-së tashmë jemi mësuar të gjithë dhe, ç’është më e keqja kemi arritur në pikën që të mos na bëjë më përshtypje.

Aty, në zyrat moderne të ndërtuar te kompleksi që iu vodh Dinamos, bëhen intriga dhe skenarë edhe më të rafinuar saç bëheshin dikur te Rruga e Elbasanit. Asokohe ishim mësuar me hapje porte ndaj Andorrës, goleada e turpshme në Rumani.

Kemi ngelur pa fjalë kur u shpik merkatoja e tetorit sepse dikush në kryeqytet mbeti pa lojtarë dhe, akoma më shumë jemi mahnitur nga sajesa djallëzore për transferimin e Sinanit.

Formula “lojtarët e Kombëtares kanë të drejtë të firmosin në superligë në çdo moment që mbeten pa ekip” vetëm e vetëm për të shkulur nga Shkodra Vioresnin ishte edhe më e turpshme se hetimi i verbër i fundsezonit të shkuar, që pasohet me falje dënimesh, por që ligjitimon dhunën e ekipit të qeverisë së futbollit, por jo të klubeve “të njerkës”.

E vërtetë është që tifozi shqiptar nuk i ka të shumta gëzimet në futboll. Kampionati ka kaluar nga niveli mediokër në nivel prestigjiatorësh.

Klubet, pjesa dërrmuese ende të varura nga shteti, janë në dorë të humorit të polikës (përveçse kur vjen puna te vota për Zeusin e futbollit) dhe, për të parë në stadium një lojë niveli siç luajnë të “jashtimit”, duhet pritur sezoni i mbarë i ekipit Kombëtar.

Do të mjaftonin një apo dy ndeshje të mira në një edicion për të kënaqur urinë e tifozit shqiptar, ndërsa kur vjen puna për shumë, atëherë tifozi duhet t’i bindet menusë që gatuhet në FSHF. Dhe, në kësi rastesh, kryeguzhinieri di të jetë shumë, po shumë pikant…

Tradhëtia e parë e madhe do të shënohej ditën e 4 shtatorit të vitit 2004. Në Tiranë vinte Greqia kampione e Europës, ndërsa tifozlliku në vend kishte nisur të merrte të tjera përmasa qëkur në “Qemal Stafa” filluan të shfaqeshin tifogrupet e tjera të trevave shqiptare jashtë kufirit zyrtar.

Pikërisht kjo dhe uria mbarëkombëtare për të parë kombëtaren helene të gjunjëzuar bënë që të shpërthente tregu i zi i biletave. Kishte aq shumë bileta sa mund të mbushnin “Camp Nou”-n e jo më stadiumin tonë.

Kush ishte me fat, si puna ime, e gjeti me dyfish çmimi (3 mijë lek ishte D1, u ble për 6 mijë). Mund të kisha shkuar te vendi im në tribunën e medias, por kundër Greqisë doja të isha përballë, mes tifozëve.

Bileta preva për vete dhe për 4 miq të mi. Po shkonim drejt stadiumit dhe për habinë time pashë policë, zyrtarë federate, madje edhe gjyqtarë futbolli me tufa biletash në duar, që vijonin të shisnin në të zezë.

Sot dëgjoj se me çekinë do të thyhet rekordi i arkëtimeve, por me Greqinë është thyer ai i shpenzimeve sepse biletat e shitura ishin shumë më shumë sesa kapaciteti i stadiumit. Jashtë ngelën qindra e qindra tifozë me bileta në duar.

I shikoja nga lart tribunës D1 teksa rrekeshin të hynin ndërsa policia kishte mbyllur dyert me drynë. Atë ndeshje ishim ulur dy vetë për çdo stol, madje edhe shkallët e stadiumit ishin plot me tifozë. Por jashtë mbetën shumë. Gjithsesi, golat e shpejtë të Muratit dhe Aliajt bënë që edhe ata të prisnin në fund për festën e madhe.

Tradhëtia e dytë e madhe do të niste nga një përgjigje arrogante, cinike, dashakeqe dhe e pafytyrë direkt nga FSHF. “Ti nuk je përgjedhur”, ishte replika e aplikimit të mijëra e mijëra tifozëve, të cilët donin të ishin prezent më 14 tetor në “Elbasan Arena” kundër Serbisë.

Në treg dolën shumë pak bileta, sa për të larë gojën te tifozët, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre ishte e përzgjedhur, e bindur, e mësuar dhe e kanalizuar nga qeveria e vendit, e cila nuk donte kurrsesi të krijonte imazhin e një vendi që mbart urrejtje për krimet gjakatare ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Policia zhvati nga mjetet personale dhe paratë çdo tifoz që kalonte në krehjen e saj të dendur. çelësa makinash, çakmakë, syze, modheva hekuri euro dhe shqiptare, u bënë pirg në vendkontrolle. Rama me Dukën kishin zgjerdhur të varrosnin nderin dhe të mbanin turpin veç për të ngjarë bukur në Europë pas shtazërisë që u pa në Beograd.

Falë edhe asaj ndeshjeje në tavolinë, Shqipëria siguroi kualifikimin e parë historik në një veprimtari të madhe futbollitike siç ishte Kampionati Europian Francë 2014.

Tani jemi fare pranë përsëritjes të atij suksesi të madh, por edhe njëherë federata nuk mund të mbetet jashtë shenjestrës. “Ishin mbi 300 mijë persona online” tha FSHF, kur me 6-7 mijë vetë online serveri binte menjëherë. Kush ka dy fije mend e kupton lehtësisht se numri i biletave që FSHF pretendon se janë shitur online është i fryrë, i ekzagjeruar, i shumëfishuar. Menjëherë pas kësaj në rrjetet sociale ishin dhjetëra adresa false, të cilat shisnin online vende në “Arenën Kombëtare”.

Një biletë arriti deri në 500 euro, teksa gjeje edhe “zemërgjere” që të ofronin 5 bileta 1000 euro… Jam i sigurt se nëse do vinte skuadra e hetimit të aktiviteve paranormale e udhëhequr nga qeni i famshëm Scooby-Doo, pas maskave të hequra do të dilnin sërish zyrtarë federate apo gjyqtarë, që ndryshe nga viti 2004, kësaj radhe janë më të sofistikuar në shitjen e biletave.


Shtuar 18.09.2023 15:51