Myslimanët i përgjigjen thirrjes për namaz, “Xhumatë nuk ndalen, rastet me koronavirus janë të izoluara” (VIDEO)

“Eja në namaz, eja në shpëtim”. Mjafton kjo thirrje që besimtarët myslimanë t’i përgjigjen njëzëri faljes së xhumasë në Shkup.

E kjo erdhi pavarësisht autoriteteve të vendit që të mos kemi tubime publike, përfshirë edhe xhamitë.

Besimtarët, morën abdes dhe hynë në xhami…

Zunë vendet, sipas traditës së zakonshme, afër njër-tjetrit.

Edhe pse nuk morën parasysh rekomandimet, hutben ia kushtuan rëndësisë së higjienës. Kjo, jo vetëm për shkak të pandemisë së koronavirusit, por edhe për shkak të porosive universale të fesë islame.

“Të kthehemi te fjala e pejgamberit alejhi selam. Pastërtia është gjysma e imanit. Sidoqoftë, ne si ummet i pejgamberit Muhamed pastërtinë e kemi lënë anësh, jemi dobësuar nga kjo çështje por edhe pse jemi dobësuar nga kjo çështje, sërish feja na bën me qenë të pastërt”, tha në xhami, imami.

Bashkërisht ranë në sexhde, duke përsëritur fjalën “Allahu ekber” apo Zoti është i Madh..

E xhumaja nuk mbushi vetëm xhamitë, por edhe çajtoret e Çarshisë.

Thuajse të gjithë të moshuarit që shiheshin në to, thanë se kanë dalur për të falur xhumanë.

Qytetari: Valla kemi dalur se është e xhuma sot, me fal xhumanë edhe me shku në shhpi.
TV 21: A nuk mendoni se është e rrezikshme me fal xhumanë?
Qytetari: Jo more, çfarë rreziku. Por çfarë rreziku… s’ka rrezik!
TV 21: Ti qysh po mbrohesh?
Qytetari: Unë a, me kurxho. Me abdes, edhe ajo.
TV 21: Ju axho?
Qytetari: Edhe unë me abdes, edhe ashtu. Jemi ba gati të shkojmë në xhuma.

Qytetari: Vetëm për xhumanë. E falim edhe ikim në shtëpi… tjetër s’ka
TV 21: Vaktet tjera a po i falni në xhami, apo vetëm xhumanë?
Qytetari: Vetëm xhumanë, tjerat vakte në shtëpi.

E një shitës u pa duke punuar me doreza. Por tha se nuk po punon për shkak të koronavirusit, por se do të shkojë në xhami e mos ta prishë abdesin.

Shitësi: Po, me doreza. Por nuk mbrohemi prej koronavirusit.
TV 21: Prej çkait po mbroheni?
Shitësii: Kum marr abdes, tregoi. Që mos ta prishi abdesin.

TV 21: A keni me mshel shitoren për me shku në xhuma?

Shitësi: Po në xhuma kysmet, po me Allahun përpara. Po nuk ka more koronavirus, kjo është si përherë. Çdo vit kemi virus, një vit ia vendosin virusi i pulës, një ditë i derrit, një ditë virusi i asaj. Përvjet ka viruse. Çfarë infektimi bre. Ku ka infektim bre, ajo është biznes. Akush nuk sëmuret. Thjesht grip, çdonjëri mund ta ketë.
TV 21: Po mendon se abdesi mundet me ju mbrojtë a?
Shitësi: Ohooo, 100 për qind.

E pasi nisi ezani, dyqanet u mbullën…

Pavarësisht kësaj, Myftinia e Shkupit nuk mendon t’i ndalë xhumatë. Kjo sipas myftiut Qenan Ismaili i cili e fali Xhumanë në xhaminë Arasta, rastet e infektuara deri më tani janë të izoluara.

“Duke e marrë parasysh se xhumaja nuk mund të falet në mënyrë individuale, është e obligueshme të falet në mënyrë kolektive. Edhe xhumaja do të vazhdojë, perderisa rastet janë të këtilla, janë të izoluara në vendin tonë, derisa virusi është në këtë pozicion, do të vazhdon në këtë formë, në këtë mënyrë”, theksoi Qenan Ismaili.

Nga atje thonë se në rast se virusi merr përmasa të mëdha, apo nëse fillon të shpërndahet edhe mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, atëherë do t’i anulojnë xhumatë.


Shtuar 13.03.2020 17:54