Me 22 korrik, GJND-ja shpall vendimin per Kosoven
Albeu.com
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konfirmuar edhe zyrtarisht se më 22 korrik, në orën 15, do të lexohet mendimi i kësaj gjykate mbi legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkruan portali Koha.Një dëgjim publik do të zhvillohet të enjten, më 22 korrik, gjatë të cilit mendimin do ta lexoj presidenti i kësaj gjykate, Hisashi Owada. Dëgjimi do të bëhet në sallën e madhe në Pallatin e Drejtësisë në Hagë, ku pritet të jenë të pranishëm pjesëmarrësit e dëgjimit si dhe përfaqësuesit e korit diplomatikë.

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është kërkuar nga Serbia dhe në bazë të kësaj kërkese Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka kërkuar që GJND-ja të japë mendimin e saj. Shumë shtete kanë paraqitur argumentet e tyre me shkrim dhe disa edhe në dëgjimet gojore pro pavarësisë së Kosovës, por disa edhe kundër.

Serbia ka paralajmëruar se pas shpalljes së këtij mendimi do të kërkojë kthimin e çështjes së statusit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në përpjekje për të rifilluar negociatat e reja për statusin e Kosovës. Një gjë e tillë është e papranueshme si për vetë Kosovën ashtu dhe për shumicën e shteteve, të cilat e kanë njohur Kosovën.

Në njoftimin nga GJND-ja thuhet se seanca e leximit të mendimit për Kosovën do të transmetohet direkt edhe në web faqen e Gjykatës.
Shtuar më 14/07/2010, ora 18:10
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori