MD-KLD, marrëveshje bashkëpunimi për monitorimin e gjyqësorit
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit institucional për shmangien e mbivendosjes së kompetencave në Inspektimin Gjyqësor.

Ky memorandum synon që të përmirësojë procesin e monitorimit të sistemit gjyqësor. Ministri i Drejtësisë, Halimi në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se sistemi i drejtësisë ka nevojë për paanësi dhe pavarësi.

"Sistemi i drejtësisë ka nevojë për paanësi dhe pavarësi, po aq sa dhe për rritjen e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve përballë ligjit dhe Kushtetutës, po aq për rritjen e aksesit të publikut në drejtësi, po aq dhe për rritjen e transparencës së gjithë procesit gjyqësor, në mënyrë që qytetarët të kthejnë besimin tyre tek drejtësia. Është shumë i rëndësishëm monitorimi i pushtetit gjyqësor, evidentimi i gjyqtarëve të aftë nga ata të paaftë", u shpreh ministri.



Vlerësime shprehu dhe nënkryetari i KLD-se, Elvis Çefa, i cili tha se ky memorandum e ngre në një shkallë të re bashkëpunimin ndërmjet dy inspektorateve. Sipas tij, KLD, synon të ndërtojë strategji të qarta që çojnë në përmirësimin e veprimtarisë së sistemit të drejtësisë. Me anë të memorandumit, dy Inspektoratet do të forcojnë bashkëpunimin midis tyre, duke koordinuar veprimtarinë e tyre.


Ky memorandum vjen në kuadër të përmbushjes të gjithë objektivave strategjike dhe politike që Ministria e Drejtësisë, në emër të Qeverisë Shqiptare ka planifikuar në rrugën e realizimit të proceseve integruese. Ai përmbush drejtpërdrejt objektivat e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë dhe një ndër masat kyçe të Rekomandimit nr. 7 “Shteti i së drejtës”, të Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë me objektiv specifik harmonizimin e procedurave inspektuese dhe shmangien maksimalisht të mbivendosjeve. /albeu.com/
Shtuar më 13/09/2012, ora 13:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori