Mbyllen hetimet, Xhuvani autor i masakrës
Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar zyrtarisht akuzën Kostandin Xhuvanit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e Enea Xhaj, Arbër Demiraj, Edison Jaho dhe shtetasit italian, Giampaolo Azzolo.

Akuza është komunikuar sot në paraburgimin e Fushë-Krujës, ku Xhuvani qëndron pas masës së sigurisë “arrest me burg”, dhënë nga gjykata e Tiranës.

Tashme hetimet janë mbyllur, teksa kanë kaluar plot 10 ditë pas masakrës ku në lokalin e natës “Ante Grand” në kryeqytet, humbën jetën katër persona.

“Vrasja me dashje e 2 apo më shumë personave” dhe “armëmbajtja pa leje”, është akuza që rëndon mbi Xhuvanin, akuzë kjo e firmosur nga dy prokurorët Erion Pano dhe Enklit Gjini, të cilët udhëhoqën hetimet që prej orës 04:30 të mëngjesit të 4 nëntorit, kur ndodhi krimi.

Burime për “A1 Report” nga grupi hetimor bënë me dije se gjatë komunikimit të akuzës, Xhuvani nuk kanë patur kundërshtim. Raportohet gjithashtu se ai ka vendosur të mos flasë asnjë fjalë për ngjarjen.

Akuza e cila i është komunikuar të pandehurit, pritet që të hënën e javës që vjen së bashku me faktet dhe provat që rëndojnë mbi të, të dorëzohet në Gjykatë.

Teksa hetimet për të tashmë janë të mbyllura, të njëjtën gjë nuk mund të themi për shokun e tij Sida. Pritet që shoku i tij Erald Sida të qëndrojë ende me masë sigurie “arrest me burg”, pasi prokurorët kanë për të hetuar në lidhje me dëshmitë e dhëna prej tij. /albeu.com/
Shtuar më 14/11/2014, ora 13:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori