Mbyllen hetimet për mashtruesin që u shiti 1 apartament 30 personave
Tashmë janë mbyllur hetimet për mashtruesin e ndërtimit, i cili u ka shitur një apartament 30 personave. Hetimet ndaj shtetasit Hajdin Zyberaj kanë nisur pas kallezimeve te 30 qytetareve, ndërsa i akuzuari tashmë është shpallur në kërkim.

Për veprën penale të “mashtrimit ndaj shumë personave me pasoja të rënda”, Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Hajdin Zyberaj, administrator i shoqërisë së ndërtimit “Dini-2009”.

Bëhet me dije se hetimet ndaj këtij shtetasi nisën pas kallëzimeve të 30 qytetareve, të cilët kishin paguar paratë për të njëjtin apartament. Zyberaj rezulton person i shpallur në kërkim, dhe sipas sistemit TIMS, ka lënë Shqipërinë në tetor të 2013 drejt Maqedonisë.

Nga hetimi i prokurorisë rezulton se i pandehuri ka mashtruar së paku 36 persona, të cilët kanë blerë apartamente dhe dyqane në ndërtimin e tij në zonën e Qesarakut, Linzë. Më pas ka rezultuar se këto prona u janë shitur dy ose më shumë personave të tjerë.

Lidhur me këtë mashtrim, të gjithë personat e dëmtuar janë të pajisur me kontrata noteriale për blerjen ose prenotimin e pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin në disa milionë euro. I pandehuri Hajdin Zyberaj nuk është gjetur në Shqipëri dhe hetimi është zhvilluar me masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë. /albeu.com/

Shtuar më 13/01/2015, ora 11:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori