Mblidhet kabineti "Rama", miratohen disa projektligje
Update - Kabineti "Rama" zhvillon mbledhjen e parë zyrtare për këtë vit. Mbledhja e Këshillit të Ministrave zhvillohet disa ditë pasi kryeministri Rama zhvilloi një mbledhje informale me ministrat e kabinetit të tij në Radhimë të Vlorës.

mbledhjen e sotme pritet të shqyrtohen prioritetet e qeverisë për këtë vit si dhe të merren një sërë vendimesh të rëndësishme.

Ndërkohë ditën e shtunë kabineti "Rama" do të zhvillojë një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës e kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi. /albeu.com/

PROJEKTLIGJE:

1. Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e privilegjeve dhe imuniteteve të Autoritetit Ndërkombëtar të Shtratit të Detit.

Protokolli për privilegje dhe imunitete për shtratin e detit, në të cilin kërkohet të aderohet, rregullon privilegjet dhe imunitetet e përfaqësuesve, anëtarëve dhe ekspertëve që kryejnë misione për Autoritetin Ndërkombëtar të Shtratit të Detit, të cilat janë hartuar në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

2. Për ratifikimin e protokollit shtesë 3 të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.
Protokolli shtesë 3 ndërmjet Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është jo vetëm plotësim i një angazhimi në marrëveshjen e vetme të tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, CEFTA 2006, por është edhe plotësim i kërkesave të vazhdueshme të komunitetit të biznesit shqiptar, veçanërisht atyre të peshkimit dhe konservave të peshkut, verës, vezëve, produkteve të freskëta bujqësore etj, të cilët janë të orientuar për eksport.

VENDIME:

1. Për miratimin, në parim, të shtesës nr. 2, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për programin kombëtar për Shqipërinë, në kuadër të komponentit, Instrumenti për Asistencën e Parazgjerimit, “Asistenca e tranzicionit dhe mbështetja institucionale për vitin 2011″.

Ky vendim ka për qëllim miratimin e rialokimeve të fondeve për projektet e parashikuara në marrëveshjen kuadër të financimit, në këto fusha: të drejtësisë dhe çështjeve të brendshme dhe mbështetje për Ministrinë e Financave dhe atë të Integrimit Evropian.

2. Për miratimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për ndryshimet në marrëveshjen, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë.

Ky ndryshim vjen si pasojë e anëtarësimit të Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe, për këtë arsye, Kroacia është e detyruar të harmonizojë legjislacionin kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Shtuar më 08/01/2014, ora 15:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori