Mblidhet Asambleja e Forumit te Gruas Socialiste në Korçë dhe Elbasan
Prej ditës së djeshme, Forumi i Gruas Socialiste ka rinisur procesin e riorganizimit. Riorganizimi vjen si nevojë e përshtatjes së strukturave të këtij forumi me ndarjen e re territoriale.

Takimet e para janë zhvilluar në qytetet e Korçës dhe Elbasanit. Në fjalën e saj, kryetarja e forumit, deputetja Olta Xhaçka e cilësoi organizimin e ri, garën brenda forumit dhe rritjen e anëtarësisë si kusht të domosdoshëm për të evidentuar më të mirat dhe për të fuqizuar kryetaret e zgjedhura të forumit.

Ajo foli edhe për projektligjin e depozituar prej saj dhe kolegëve të mazhorancës në Kuvend, për përfaqësimin e barabartë të grave dhe burrave në listat shumë emërore të partive në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Ne jemi të vetëdijshme për nevojën për të mbrojtur interesat tona e për të fituar respektin e komuniteteve tona. Vetëm me këto cilësi mund t’i imponohemi respektit të publikut dhe politikës në tërësi, që e quan krejt të parakohshme këtë barazi potenciale përfaqësimi, duke e konsideruar atë një dhuratë, një lëshim, ose më keq akoma, statistikë... ".

Forumi i Gruas Socialiste, theksoi ajo, duhet të jetë një protagonist real i ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare për të pranuar, mundësuar, lehtësuar dhe mbështetur protagonizmin e gruas në tryezat e vendimmarrjes politike të pushtetit vendor e atij qendror.

Procesi i riorganizimit të këtij forumi pritet të mbyllet brenda muajit dhjetor. Ndërkohë të gjitha strukturat e reja të këtij forumi do të zgjidhen sipas parimit "Një anëtar, një votë". /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2016, ora 14:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori