Mbledhja e KQZ, PS kërkon shkarkimin e një anëtari në KZAZ-s;
Një ditë nga dita e zgjedhjeve, kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Lefteri Luzi (Lleshi) kërkoi zbatimin e ligjit nga administrata zgjedhore e administruar nga KQZ. Në mbledhjen e së shtunës ku u diskutuan disa nga problematika në shpërndarjen e bazës materiale zgjedhore, KQZ sqaroi edhe problematikën e vëzhguesve dhe personave të tjerë të akredituar ose jo që lejohen në qendrat e numërimit të votave.

“Në këtë proces zgjedhor, pavarësisht se janë përfaqësues partiakë, anëtarët e KZAZ-të janë administratorë të zgjedhjeve që drejtohen nga KQZ dhe mbajnë përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit”, tha ajo.

Ndërkohë që përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj kërkoi shkarkimin e një anëtari në KZAZ-në numër 55 pasi ky i fundit ka lidhje të ngushta me kandidatin për deputet të një partie.

“Ne kërkojmë që të na jepet lista e KZAZ-ve problematike që të kontaktojmë përfaqësuesit tanë. Në KZAZ numër 55 kemi një problematikë. KQZ ka emëruar një person që ka lidhje të afërt me një kandidat për deputet të një partie politike. Jemi në kushtet e parashikuara nga neni 32 i Kodit Penal, ku një anëtar që ka lidhje gjinie në këtë shkallë s’mund të ushtrojë detyrën e anëtarit të KZAZ-së”, tha Gjonçaj.

Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti ngriti shqetësimin për disa qendra votimi, të cilat sipas tij nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar një proces zgjedhor. /albeu.com/
Shtuar më 22/06/2013, ora 16:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori