Mbi 500 urdhra mbrojtje në Tiranë vetëm në 2019
Në 7 muajt e parë të këtij viti gjykata e Tiranës ka dhënë mbi 500 urdhra mbrojtje për dhunë në familje, mes të cilëve 458 kanë qenë të menjëhershëm për shkak të rrezikut që i kanosej të dëmtuarve.

Pavarësisht numrit të lartë, urdhrat e mbrojtjes duket se nuk ndikojnë në parandalimin e krimeve, siç ishin vrasja e gruas nga bashkëshorti në Durrës, apo goditja e babait nga djali me sopat.

Në të dyja këto raste viktimat kishin urdhër mbrojtje por kjo duket se nuk i ka ndihmuar.

Avokati Erjon Kullolli thotë se motivet që i çojnë qytetarët në duart e gjykatës për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes janë të ndryshme dhe kanë të bëjnë me plagët e shoqërisë.

Kullolli: Kryesisht shkaqet janë ato ekonomike, depresioni ekonomik, të qenurit nën ndikimin e alkoolit. Më të përhapurat kur miratohet urdhri i mbrojtjes është kur komisariati i policisë sjell si prova në gjykatë raportime për dhunë sistematike. Raportime me shtrirje të gjatë kohore dhe gjyqtari e ka shumë të lehtë ta vlerësojë edhe në bazë të bindjes së brendshme, që sjella e të paditurit ose të paditurës është një sjellje e përsëritur.

Numri i denoncimeve ka qenë shqetësues në Tiranë edhe gjatë vitit të shkuar, ku në 12 muaj janë lëshuar 1161 urdhra, nga këto 945 kanë qenë të menjëhershëm. Rastet e dhunës në familje vijojnë të jenë një nga problemet më shqetësuese për shoqërinë shqiptare.

Në vitin 2018, policia ka regjistruar 4.411 raste të tilla, ku janë lëshuar 3037 urdhra mbrojtje.

Ndërsa në 2017-ën janë raportuar në të gjithë vendin 4.005 raste të dhunës në familje. Në vitet e fundit numrin më të vogël të rasteve e ka pasur viti 2013, me 3.020 denoncime. /oranews/
Shtuar më 21/07/2019, ora 22:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori