Mbi 37% e te rinjve kosovare konsumojne duhan
Albeu.com
Në prag të shënimit të Ditës botërore kundër duhanit, drejtues të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ngrenë shqetësimin për numrin e lartë të duhanpirësve në Kosovë, i cili edhe pse nuk ka statistika të sakta, konsiderohet të ...... jetë tepër i lartë, sidomos në mesin e të rinjve deri në moshën 18-vjeçare.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit. Çdo 10 sekonda duhani shkakton një vdekje. Jetëgjatësia e një personi që pi duhan shkurtohet për 10 vjet.

Edhe pse dihen pasojat të cilat sjellë konsumimi i duhanit, numri i duhanpirësve në vendin tonë konsiderohet të jetë mjaft i lartë. Mjekët thonë se konsumi i duhanit shkakton varësi nga nikotina, kancer dhe sëmundje të zemrës, rrudha në lëkurë, përkeqësim të astmës, andaj rekomandojnë mos pirjen e duhanit.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, ka thënë për Kosovapress se institucionet kanë për obligim që të implementojnë ligjin kundër pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat zyrtare të institucioneve të Kosovës, por në mënyrë specifike në institucione shëndetësore dhe arsimore.

Lidhur me vazhdën e luftës kundër duhanit, Ramadani tregon se më 31 maj IKSHP-ja do të organizojë një tryezë të rrumbullakët për duhanin, me qëllim të sensibilizimit të popullatës për dëmet që shkakton pirja e duhanit për shëndetin e njeriut.

“Për datën 31 do ta mbajmë prapë një në mënyrë që të sensibilizojmë popullatën që duhani është i dëmshëm për shëndet, duhet të lihet me metoda më të lehta të mundshme si thuhet po në radhë të parë ne kemi obligim që si institucione të Kosovës të ndalojmë pirjen e duhanit në të gjitha hapësirat zyrtare të institucioneve të Kosovës, por në radhë të parë kisha përmendur në mënyrë specifike ndalesën e duhanit në institucione shëndetësore dhe arsimore”, ka thënë Ramadani.

Drejtori i IKSHP-së thekson se një nga brengat kryesore të institucioneve shëndetësore janë fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit.

“Ne kemi bërë statistika dhe hulumtime tashmë që po dëshirojmë t’i ripërsërisim dhe të shohim se ku jemi. Në bazë të këtyre ne kemi bërë më shumë statistika të përqendruara te të rinjtë dhe fëmijët, ku nganjëherë përqindja del mbi 37 për qind në shkolla të mesme të Kosovës, të cilat janë mjaft brengosëse. Këto statistika kanë qenë të bëra para katër vjetëve dhe tash do t’i ripërsërisim të shohim se si është frekuenca dhe trendi i lëvizjes. Por, sidoqoftë këto janë brengosëse duke pasur parasysh se pirja e duhanit, jo vetëm te të rinjtë, por edhe te të moshuarit bën që pos dëmtimit të shëndetit të kemi edhe dëme të mëdha ekonomike në familje, të cilat konsumojmë duhan dhe kjo nuk është bash çmim modest”, ka thënë Ramadani.

Drejtori i IKSHP-së e pranon se pas aprovimit të ligjit për duhan në Kuvendin e Kosovës, kanë filluar iniciativat në parandalimin e pirjes së duhanit në vendet publike.

“Pas aprovimit të ligjit, ka iniciativa të lënies së duhanit nëpër institucione sidomos shëndetësore, por edhe arsimore, aty tek-tuk edhe administrative. Faktikisht pirja e duhanit ka filluar shembull një historik të shkurtër me shekuj me radhë në mënyrë që të konsumohet në vend e pa vend dhe në vendet ku më të dëmshme të mundshme që janë vendet e mbyllura”, ka thënë ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për shënimin e Ditës Botërore Kundër Duhanit 2010 ka zgjedhur moton "Gjinia dhe duhani me theks në marketingun tek gratë", ku do të publikojë raportin e studimit “Duhanpirja dhe përdorimi i substancave tjera psiko-aktive te shtatzënat në Kosovë”.

Sami Uka, përfaqësues i zyrës së OBSH-së në Prishtinë, ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se qëllimi kryesor i këtij studimi ka qenë përcaktimi i prevalencës së përdorimit të duhanit, alkoolit dhe substancave tjera psiko-aktive te shtatzënat në Kosovë.

“Nga të dhënat e analizuara del se prevalenca e duhanpirjes në mesin e grave shtatzëna në Kosovë është 20.9 për qind. Në të vërtetë, 462 ose 44 për qind të të gjitha subjekteve të intervistuarave, në një periudhë të jetës së tyre kanë qenë duhanpirëse aktive, ndërsa për shkak të shtatzënisë, 35 për qind të tyre kanë braktisur këtë shprehi. Megjithatë, periudha e shtatzënisë përcillet me rënie të ndjeshme të numrit të cigareve të konsumuara gjatë ditës tek çdo subjekt i intervistuar”, ka thënë Uka.

Sipas tij, përfundimi më i rëndësishëm i hulumtimit është se prevalenca e duhanpirjes në mesin e grave shtatzëna në Kosovë është shumë e lartë.

Dita Botërore pa Duhan është një ditë që i kushtohet luftës kundër duhanit dhe që mbahet që prej vitit 1987 çdo 31 maj. (kosovapress)
Shtuar më 30/05/2010, ora 20:42
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori