Mbi 2 mijë tërmete në pak javë, sizmologët u bëjnë apel qytetarëve
Pas goditjes shkatërrimtare të 26 nëntorit, mbi 2000 tërmete kanë rënë për gati 1 muaj në Shqipëri.

Më i fundit, me intensitet të konsiderueshëm, ishte ai i pasdites së të enjtes me magnitudë 4,3. Por sizmologët qetësojnë duke thënë se vijimi i pas lëkundjeve në këto nivele bën të mundur çlirimin e energjisë së grumbulluar.

“Duke u nisur nga logjika që pasgoditja është shprehje e qartë e relaksimit tektonik të zonës së aktivizuar përmes transferimit të energjisë në zonat përreth, është mirë që këto të vazhdojnë”, thotë sizmologu Edmond Dushi.

Ekspertët i bëjnë apel popullatës të mos përfshihet nga paniku, veçanërisht pas sinjaleve që marrin nga aplikacionet për tërmetet. “Të mos i besojnë vlerave fillestare që jep aplikacioni, vlerat fillestare gjithmonë janë më të larta”, thotë Dushi.

Instituti i Gjeoshkencave, ku tashmë është përqendruar vëmendja, kërkon investime në aparatura për matje të sakta dhe studime pas tërmeteve. Sizmologët tregojnë për avarinë në stacionin e Durrësit në 26 nëntor, ku për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, matësi regjistroi vetëm 15 sekondat e para nga gati 1 minutë që vazhduan lëkundjet.

“Me ikjen e energjisë nga tërmeti ky stacion është fikur dhe kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së një sistemi mbështetës dhe kemi një sekuencë prej 40 sekondash që nuk është regjistruar”, thotë Dushi për A2News.

Me mbështetjen e ekspertëve gjermanë, sizmologët shqiptarë kanë vendosur rreth 30 stacione matëse nga Lezha në Karpen, për të monitoruar lëkundjet në zonë, por edhe për të skanuar thyerjen kilometrike të tokës, krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit
Shtuar më 20/12/2019, ora 19:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori