Po gjykohet për krime lufte, ushtari rus pranon fajësinë për vrajsen e një ukrainasi të paarmatosur

Ushtari i parë rus që ka dalë në gjyq në Ukrainë për krime lufte, ka pranuar fajësinë për vrasjen e një ukrainasi të paarmatosur.

21-vjeçari që po përballet me gjykimin e parë për krime lufte që kur Moska sulmoi Ukrainën, deklaroi se është fajtor për vrasjen e një civili të paarmatosur.

Reshteri Vadim Shishimarin mund të dënohet me burgim të përjetshëm pasi qëlloi në kokë një 62-vjeçar ukrainas nga dritarja e hapur e një makine më 28 shkurt.

Shishimarin po ndiqet penalisht në bazë të një neni të kodit penal të Ukrainës mbi ligjet e luftës.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës ka thënë se zyra e saj po përgatit çështje kundër 41 ushtarëve rusë për krime të dyshuara lufte si bombardimi i infrastrukturës civile, vrasja e civilëve dhe përdhunimi.

Prokurorët planifikojnë të vazhdojnë paraqitjen e provave kundër reshterit Shishimarin pas pranimit të tij të fajësisë të mërkurën, megjithëse gjyqi duket se do të përfundoj shpejt.