E FUNDIT/ Kreu i opozitës komunikim të jashtëzakonshëm me median
Mbetet në burg Miranda Fortuzi, ekspertja e mashtrimeve
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy “juristët”, që u arrestuan të enjten për mashtrimin e një qytetari, duke u prezantuar si punonjës të Kuvendit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për 48-vjeçaren Miranda Fortuzi, e dënuar edhe dy herë të tjera për të njëjtën vepër penale dhe një 24-vjeçar me inicialet N.Sh., i cili ka bashkëpunuar me të.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se i kishin premtuar një qytetari se do i siguronin licencën e mësimdhënies nga Komuniteti Mysliman.

Ata u arrestuan teksa do takoheshin për të marrë shumën prej 10 mijë eurosh dhe në këmbim kishin përgatitur disa dokumente të falsifikuara. Por pikërisht në këtë moment u arrestuan nga oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, që nuk nguruan edhe t’i kundërshtonin në kohën kur po i shoqëronin për në Polici.

Ata u akuzuan për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumenteve”, “Përvetësim të titujve apo i detyrës shtetërore”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”. Por shtetasja e arrestuar, Miranda Fortuzi, rezulton një emër i njohur për drejtësinë. Ajo ka qenë e dënuar edhe dy herë më parë po për mashtrim, duke folur në emër të 5 institucioneve të rëndësishme. Që nga Kryeministria, Ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë, Bashkia e Tiranës e së fundmi edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

“SPECIALISTE” NË MINISTRINË E ARSIMIT

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, që ka lënë në fuqi atë të Gjykatës së Shkallës së Parë dhënë më 17 qershor 2014, që e kishte dënuar Miranda Fortuzin me 3 vite e 6 muaj burgim, ajo kishte mashtruar dy shtetas. Një nga shtetasit e dëmtuar ishte shtetasi Florian T., i cili ka deklaruar se ishte takuar me Fortuzin gjatë vitit 2012 në plazhin e Golemit dhe më pas pranë stadiumit “Qemal Stafa”, në Tiranë.

Gjatë bisedave të zhvilluara, Floriani i ka shpjeguar se kishte motrën e tij që kishte mbaruar shkollën e lartë që në vitin 2010 për Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe pavarësisht së kishte plotësuar disa herë kërkesa për punë pranë Drejtorisë Arsimore Lushnjë, nuk kishte marrë asnjë përgjigje dhe nuk kishte arritur të fillonte punë.

Miranda Fortuzi i ka shpjeguar se punonte si specialiste në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës në Tiranë dhe mund ta ndihmonte që e motra e tij të fillonte punë dhe për këtë i ka kërkuar që të bënte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm gati, si dhe një shumë prej 500 mijë lekësh të rinj për t’ua dhënë personave përgjegjës pranë Ministrisë së Arsimit, me qëllim që e motra të fillonte pune.

I dëmtuari ka marrë kredi për të bërë pagesën e kërkuar dhe në muajin shtator të vitit 2012 ia ka dorëzuar në një lokal pranë stadiumit “Qemal Stafa”, bashkë me dokumentet. Por që nga ai moment, nuk e ka takuar më. Ndërsa motra e tij nuk filloi punë. Po kështu, e pandehura Miranda Fortuzi i ka marre një shumë prej 4000 eurosh dëshmitarit Refki Shala, shumë kjo që ishte marrë për të futur në punë djalin e tij, dëshmitarin Meris Refki Shala.
Shtuar më 08/04/2019, ora 20:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori