Mbërrijnë letërporositë nga Amerika, PD nën hetim për lobimin në Washington
Në Prokurorinë e Tiranës kanë mbërritur letërporositë e kërkuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikes për hetimin që po kryhet për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike të vitit 2017.

Mësohet se dy letërporositë sqarojnë mënyrën e përdorimin dhe origjinën e rreth 600 mijë Dollarëve të përdorur nga PD për lobim në Washington.

Prokuroria po tregohet tepër diskrete pa dhënë detaje mbi përgjigjet që kanë sjellë autoritetet amerikane, duke qenë se në këtë fazë përbëjnë sekret hetimor. Mazhoranca e akuzon opozitën se këto para janë financuar nga oligarkë rusë apo persona të lidhur me ta.

Por Partia Demokratike ka mohuar një gjë të tillë duke sqaruar se kontratat janë transparente. Në prokurori u pyetën edhe zyrtarë të kësaj partie, si ish-Sekretari Arben Ristani dhe financieri i partisë.

Të dy mohuan se janë përdorur para që vinin nga financues të dyshimtë. Janë rreth 600 mijë Dollarë të përdorura në tre kontrata të ndryshme, dy me kompaninë ‘Stonington Strategies’ dhe tjetra me “Barnes and Thornburg LLP” .Të dyja këto kompani janë të regjistruar në parajsat fiskale, shkruan tvKlan. Qëllimi i kontratave ishte sigurimi i takimeve me zyrtarë të nivelit të lartë të administratës së Presidentit Donald Trump apo edhe intervista në media të ndryshme atje.
Shtuar më 06/03/2019, ora 16:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori