Mbanin mbulesa, drejtoresha përzë dy vajza nga shkolla
Albeu.com
Kanë vënë shaminë e islamit, ose siç njihet ndryshe ferexhenë. Kjo i ka penguar për të mos qenë si gjithë të tjerët. Drejtoresha e shkollës, Lirie Ahmeti, nuk i ka pranuar në mësim, pasi vajzat e mitura janë veshur me këto simbole fetare.Gentiana është nxënëse e klasës së 8-të në shkollën 9-vjeçare "28 Nëntori" në lagjen Laprakë të Tiranës. Bashkë me motrën e saj më të vogël, Marselën në klasë të 6-të gjenden prej një muaji në shtëpi, ndërsa bashkëmoshatarët e saj marrin çantat e shkojnë në shkollë. Kanë vënë shaminë e islamit, ose siç njihet ndryshe ferexhenë. Kjo i ka penguar për të mos qenë si gjithë të tjerët. Drejtoresha e shkollës, Lirie Ahmeti, nuk i ka pranuar në mësim, pasi vajzat e mitura janë veshur me këto simbole fetare. "Nuk lejohet prezenca në shkollë me këtë uniformë, sepse shkolla është laike. Po kështu, shkolla ka një rregullore të brendshme, e cila parashikon mbajtjen e një uniforme për të gjithë nxënësit e shkollës", mësohet t‘u ketë komunikuar drejtoresha prindërve. Ata janë sorollatur dyerve të shkollës, Drejtorisë Arsimore dhe Ministrisë së Arsimit, por asgjë nuk ka ndryshuar në sjelljen e titullarëve, që nxjerrin përpara ligjin. Kanë kthyer mbrapsht prindërit e interesuar për shkollimin e të bijave, edhe pse me ferexhe. Sipas tyre, ligji e ndalon fenë në institucionet e arsimit publik, që është laik. Duke iu referuar ligjit për arsimin, në nenin 7 thuhet se "arsimi parauniversitar publik ka karakter laik. Në institucionet arsimore publike ndalohet indoktrinimi ideologjik e fetar".

Por kokëfortësia e palëve ka çuar në braktisjen e arsimit bazë të dy minoreneve. Saktësojmë se arsimi 9-vjeçar është i detyruar në vendin tonë. Por, me sa duket, autoritetet shtetërore e kanë harruar këtë fakt dhe po çojnë drejt analfabetizmit dy nxënëse, që deri para një muaji ishin me nota shumë të mira në mësime. Nga ana tjetër, prindërit e tyre mbajnë një qëndrim po aq të rreptë, duke mos bërë asnjë përpjekje që dy fëmijët e tyre të shkojnë në mësim me uniformën e shkollës dhe jo me atë fetare.

"Ne nuk i kemi detyruar aspak fëmijët tanë të vishen me shami", shprehet babai, Medeti, në intervistën e tij për "Shqip". Ndërsa shton se "as nuk u thotë atyre ta heqin atë". Babai tregon se ka dëshirë që vajzat të shkollohen, ndaj dhe i është drejtuar gazetës "Shqip". I pyetur se a është e përcaktuar mosha kur një femër në bazë të Kuranit duhet të veshë ferexhe, ai thotë se "në bazë të Kuranit një femër që ka arritur në moshën e pubertetit duhet të mbulojë pjesët e turpshme të trupit". Vajza e madhe e tij, 15-vjeçare, është në nisje të kësaj moshe, ndërsa e vogla ende jo, por gjithsesi ka vendosur të ndjekë rrugën e pjesëtarëve më të rritur të familjes. Medet Hasani, bashkëshortja e tij dhe katër vajzat janë besimtarë praktikantë myslimanë. Doktrinë kjo që e ndjekin prej afro 6 vitesh, kur Medeti u njoh me islamin. Ai rrëfen për gazetën se ka dëshirë që fëmijët e tij të ndjekin rrugët që dëshirojnë në jetë, por dëshira e tyre është tashmë e lexueshme. Të ndjekin mësimet e islamit, duke sakrifikuar edhe të ardhmen e tyre.

Në shkollën 9-vjeçare "28 Nëntori", si në çdo tjetër të kryeqytetit, nxënësit vishen me uniformë në shkollë, ndërsa vajzat e familjes Hasani nuk e kanë pranuar atë, duke e këmbyer me uniformën fetare. Drejtoresha e shkollës u shpreh për "Shqip" se ka bërë për një muaj rresht punë edukative me vajzat, por ato nuk janë bindur të heqin ferexhenë dhe të veshin këmishat e bardha dhe pantallonat xhins, si bashkëmoshatarët. Në këto kushte, thotë drejtoresha, e vetmja zgjidhje është që ato të regjistrohen në shkollën e Medresesë. Në të kundërt duhet të zbatojnë rregulloren e brendshme të shkollës "28 Nëntori", të vishen me uniformë shkolle. Bindja fetare e dy motrave është mjaft e fortë, as mësuesit dhe as nxënësit s‘kanë mundur t‘ua ndryshojnë. Bashkëmoshatarët e Marselës dhe Gentianës janë në moshë minore dhe nuk mund të mbajnë qëndrim për sjelljen e tyre të re. Aktualisht ato janë pa mësim, marrin vetëm leksione fetare në një shkollë private iraniane.


Neni 59


Gjobë për prindërit që heqin fëmijët nga shkolla


Ligji për arsimin parauniversitar në nenin 59 thotë si më poshtë: Kur nxënësit e moshës 6 deri 16 vjeç, të cilët i përfshin detyrimi shkollor, mungojnë pa arsye në shkollë, ose e braktisin atë, prindërit e tyre dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë nga 1000 deri në 10000 lekë, si vijon: Kur nxënësi mungon në mësim pa arsye 30-50 për qind të kohës në dy muaj të njëpasnjëshëm, masa e gjobës është 1000 deri në 3000 lekë dhe në rast përsëritjeje gjatë po atij viti, gjoba bëhet 5000 lekë. Vendimi i gjobës jepet nga kryetari i bashkisë, sipas propozimit të drejtorit të shkollës. Kundër vendimit të gjobitjes mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes së njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja. (G. Shqip)
Shtuar më 05/03/2008, ora 16:41
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori