MB: Rama të mos përdorë zjarret për kapital politik
Ministria e Brendshme ka paraqitur të martën edhe situatën e zjarreve në Shqipëri ndërsa i ka bërë thirrje opozitës të heqë dorë nga përfitimi i kapitalit politik me vatrat e zjarrit, por të shprehë sadopak mirënjohje për të gjithë ata punonjës shteti që prej javësh luftojnë për të shpëtuar pyjet kullotat dhe pronën e çdo shqiptari.



"Prej më shumë se dy muajsh, 850 punonjës të shërbimit zjarrfikës, 800 punonjës të Shërbimit Pyjor, mbi 1500 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 80 mjete zjarrfikëse të Ministrisë së Brendshme, 15 mjete zjarrfikëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mjete të tjera të rënda, kanë punuar ditën dhe natën për të mbajtur nën kontroll të plotë situatën problematike të shkaktuar nga zjarrvëniet. Mjetet zjarrfikëse të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë dislokuar në zonat më të thella malore, në terrene nga më të vështirat, me rrugë dhe pa rrugë. Zjarrfikësit, me përkushtim dhe devotshmëri profesionale kanë shtrirë me mijëra metra tuba për të qenë sa më pranë edhe vatrës më të vogël të zjarrit", thuhet në deklaraten e MB.


Sipas MB gjatë gjithë kësaj periudhe 2 avionë kanderë nga Mali i Zi, 2 avionë nga Italia, një avion dhe një helikopter nga Turqia dhe një helikopter nga Sllovenia, kanë ndihmuar dhe vijojnë edhe në këtë moment operacionet nga ajri për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, paralelisht me forcat që operojnë në terren.

"Ky angazhim maksimal, ky përkushtim dhe sakrificë e mijëra efektivave të të gjitha shërbimeve të shtetit shqiptar, kanë bërë të mundur që të shpëtojë pasuria kombëtare, me dëmet më të vogla të mundshme, të shpëtohen pasuritë e çdo qytetari dhe, mbi të gjitha, nuk ka lejuar që për asnjë çast të vihet në rrezik jeta e çdo banori në në afërsi të vatrave të zjarrit", vijon me tej deklarata. /albeu.com/

Shtuar më 04/09/2012, ora 18:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori