MB apel qytetarëve: Respektoni rregullat e qarkullimit
Pëlqej
Ministria e Brendshme përmes një deklarate për mediat iu bën apel qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke i kujtuar çdo qytetari të ketë përgjegjshmëri për jetën e tij.

Ministria e Punëve të Brendshme është duke ndjekur me seriozitet zbatimin e planit të masave nga ana e Policisë së Shtetit për garantimin e jetës dhe shëndetit nga aksidentet rrugore. Sezoni turistik ka sjellë një shtim shumë të madh të fluksit të lëvizjes në akset rrugore kombëtare, por edhe urbane. Ardhja shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendet e tjera apo edhe i një numri të lartë turistësh të huaj ka bërë që numri i automjeteve në rrugë të jetë shumë herë më i lartë. Vetëm gjatë periudhës 1 qershor – 10 gusht në pikat e Kalimit Kufitar kanë hyrë dhe dalë në territorin shqiptar 1.089.604 automjete. Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve, e në mënyrë të veçantë drejtuesve të automjeteve, të bëjnë kujdes në rrugë dhe të zbatojnë me përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor, për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Sipas MB-së efektivët e Policisë së Shtetit janë 100% në detyrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve, ndërkohë që siguria e jetës nis nga përgjegjshmëria e çdo qytetari për të zbatuar rigorozisht rregullat e qarkullimit rrugor.

“Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë qytetarët të kontribuojnë për sigurinë e përbashkët, duke sinjalizuar e denoncuar çdo rast të shkeljes së ligjit dhe rregullave të qarkullimit rrugor”, përfundon deklarata. /albeu.com/
Shtuar më 13/08/2014, ora 16:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori