Mazniku reagon pas akuzave të PD: Ja e vërteta e pronës te ish-Parku i Autobusave
Pas akuzave të Jamarbër Malltezit dhe këshilltarëve të PD sot në media lidhur me zhvillimin e zonës pranë Policisë Bashkiake, ka reaguar edhe Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbër Mazniku.

Përmes një postimi në profilin e tij në facebook, Mazniku sqaron se Jamarber Malltezi është hartuesi i Vlerësimit Mjedisor të Planit të Bashës, i cili parashikonte ndërtime për shërbime dhe banesa nga 8-11 kate. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës sqaron se toka objekt diskutimi është pronë private e familjes Nela, dhe ligji i miratuar që në kohën e qeverisë “Berisha” e përcakton qartë, që nëse një subjekt aplikon për leje ndërtimi, dhe kërkesa është në përputhje me planin, Bashkia është e detyruar ta miratojë lejen brenda 45 ditëve, ose në të kundërt, leja miratohet në heshtje dhe administrata e Bashkisë shkon për ndjekje penale.

Postimi i plotë:

Në vazhdim të një telenovele familjare, sot doli dhe Dhëndri i Saliut, dhe ju bashkua këngës së Lulit dhe Kunatit të tij për ndërtimin tek Policia Bashkiake.

Dhëndri – Jamarber Malltezi është hartuesi i Vlerësimit Mjedisor të Planit të Bashës. Plani i Bashës (Foto 1 dhe Fotot 2) në nënnjësinë 7/8 ku po ndodh zhvillimi, parashikonte ndërtim për Shërbime dhe Banesa, me intensitet 2.8, me 8-11 kate. Ky Dhëndër, hartuesi i Vlerësimit Strategjik Mjedisor (Foto 3), që sot del me maskë, vlerësonte atëherë që kjo s’ka asnjë problem për mjedisin.

Jo vetëm kaq, por sipas kompanisë, pas hartimit të planit nga Basha, firmosjes nga Berisha e vlerësimit nga dhëndri, kunati ka shkuar tek kompania t’i kërkojë haraç. (https://m.facebook.com/story.php… )

Kjo ishte bashkia që trashëguam. Luli e planifikonte, dhëndri e vlerësonte, Saliu e firmoste, kunati arkëtonte.

Toka është pronë private e familjes Nela, dhe ligji (që prej Saliut – Foto 4), e përcakton qartë, që nëse një subjekt aplikon për leje ndërtimi, dhe kërkesa është në përputhje me planin, Bashkia është e detyruar ta miratoje lejen brenda 45 ditëve, ose në të kundërt, leja miratohet në heshtje dhe administrata e Bashkisë shkon për ndjekje penale.

E vetmja rrugë ishte të maksimizonim përfitimin publik, nga kjo situatë.

1-Në zonë që do të zhvillohet, në përfundim do të ketë 11.500m2 hapësirë të gjelbër dhe rekreative – PUBLIKE. Zona që Luli, Dhëndri dhe Kunati quajnë lulishte, është 12.000m2. Pra, thuajse nuk humbim hapësirë duke qenë se lirohet dhe hapësira tek Policia Bashkiake pas zhvillimit.

2-Kompania do të paguajë 5 Milionë Euro taksë në bashki falë 10-fishimit të taksës në 2015-ën. Në kohë të Bashës do paguante 480.000 Euro taksë në Bashki dhe sipas vetë kompanisë kusurin e kërkonte Kunati.

3-Për më shumë kompanisë i është kërkuar të ndërtojë një ndërtesë të re publike për bashkinë 5 katëshe dhe me parkim nëntokësor.

Pra nga një situatë ku nuk kishim dot rrugëdalje ligjore prej planit “Basha”, firmës Berisha, vlerësimit Malltezi e gjobës Kunati – kemi maksimizuar interesin publik. Ky në thelb është konflikti, familjet Basha-Berisha-Malltezi-Kunati nuk kanë hall publikun, por pse fitimi i tyre në këtë punë shkoi tek publiku e jo tek xhepat e tyre. Kjo është e vërteta!

Paratë që kunati i Lulit dhe Dhëndri i Saliut i kërkonin si ryshfet nën dorë, sot shkojnë në buxhetin e bashkisë, për tu investuar në më shumë parqe, pemë, çerdhe dhe kopshte. Në thelb, ky është ndryshimi mes nesh dhe atyre. Dhe kjo është gjithashtu arsyeja pse sot, kunati i Lulit dhe Dhëndri i Saliut, janë hedhur në sulm. Ata kishin planifikuar, vlerësuar dhe miratuar një projekt për të fituar miliona për veten e tyre. Ata sot qajnë milionat e humbura. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2017, ora 19:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori