Mazhoranca rrëzon hetimin e Berishës, i ikin 8 deputetë
Pëlqej
Albeu.com
Shumica ka votuar dje kundër hetimit të pasurisë së kryeministrit, por vetëm me 67 vota. Tetë deputetë nga aleatët votojnë pro, abstenojnë ose nuk marrin pjesë në votim.Kompaktësia e votave të maxhorancës ka pësuar dje një tjetër goditje në seancën plenare, kur u votua kërkesa e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor që do të hetonte pasurinë e kryeministri Sali Berisha dhe të familjarëve të tij. Të djathtët kanë arritur të kenë unike vetëm 67 vota, pra një numër i ulët ky krahasuar me numrat që duhet të ketë realisht koalicioni i djathtë, duke rrëzuar nëpërmjet tyre kërkesën e socialistëve për të hetuar kryeministrin Berisha. Ndërkaq, vetëm 2 vota ishin në mbështetje të ngritjes së komisionit në fjalë, vota e Nard Ndokës, pra edhe ky deputet i koalicionit e kryetar i PDK-së, si dhe i kreut të grupit parlamentar të PS-së, Pandeli Majko, i vetmi nga deputetët e majtë që mori pjesë në procesin e votimit. Nga maxhoranca dje kanë “firuar” plot tetë deputetë, të cilët nuk qenë rreshtuar me shumicën për të kundërshtuar hetimin e pasurisë së Berishës. Kështu, kanë abstenuar gjatë votimit katër përfaqësues të tjerë nga radhët e maxhorancës, Vangjel Dule, Spiro Peçi, Tritan Shehu dhe Ymer Tola. Përkatësisht, 50 deputetë të pranishëm në sallë nuk votuan, përfshirë edhe tre deputetët e shumicës, Spartak Ngjela, Leonard Solis dhe Nikollaq Neranxi. Ngjela, gjatë debateve që u zhvilluan para votimit, tha se, nëse do të rrëzohej kërkesa e opozitës për hetimin e kryeministrit, ky parlament nuk vlente më e nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë liberale. Ndërsa Nard Ndoka, duke shpjeguar votën e tij pro ngritjes së komisionit, tha se maxhoranca po shkelte Kushtetutën, duke hedhur poshtë një kërkesë të ligjshme të opozitës. Kreu i ligjvënësve të PS-së, Majko, gjatë diskutimeve për miratimin e kalendarit të punimeve, duke iu drejtuar të gjithë deputetëve të shumicës, u kërkoi të votonin këtë kërkesë, pasi ishte një kërkesë e ardhur nga ¼ e deputetëve të kësaj salle. Nga ana tjetër, kryetarja Topalli, duke u kujtuar deputetëve të maxhorancës se debati për këtë çështje ishte mbyllur, tha se tashmë ishte ngritur një komision hetimor që do të hetojë për pasuritë e të gjithë zyrtarëve. Por kreu i deputetëve të LSI-së, Sabit Brokaj, e konsideroi qëndrimin e Topallit agresiv e të njëanshëm. Sipas tij, një parlament që shkel Kushtetutën nuk mund të jetojë gjatë. “Dikur kam dëgjuar një ish-të burgosur që thoshte se regjimin nga demokracia e ndan urdhri. Ngrijeni komisionin sepse këtë jua kërkojnë 35 deputetë, ¼ e Kuvendit, siç e kërkon rregullorja e Kushtetuta. Unë e ftoj opozitën të vijë këtu në podium se po shkelet hapur Kushtetuta edhe rregullorja. Ty, kryetare, po të japim një libër, Kushtetutën, se nuk e di mirë”, - tha Majko, ndërsa kryetarja Topalli po vazhdonte procesin e votimit që u mbyll me mosmiratimin e kërkesës së socialistëve. Pas votimit, të gjithë deputetët e opozitës janë ngritur nga vendet e tyre, duke qëndruar në këmbë pranë podiumit parlamentar, në shenjë proteste për vendimin e marrë nga maxhoranca nëpërmjet votave. Radha e gardistëve, e vendosur midis deputetëve të opozitës dhe vendeve ku qëndrojnë ministrat e qeverisë, ka mbajtur situatën nën kontroll që duhet thënë se ndryshe nga ndonjë rast tjetër nuk është agravuar në veprime të tjera, përveç qëndrimit në këmbë. Nënkryetari i grupit të PS-së, Petro Koçi, tha se votimi i maxhorancës ishte mbrojtje e hapur për korrupsionin.

Rezultati i votimit:
67 kundër
2 pro
4 abstenime
50 nuk morën pjesë

Abstenuan nga maxhoranca:
Spiro Peçi
Tritan Shehu
Vangjel Dule
Ymer Tola

Nuk morën pjesë nga e djathta
Spartak Ngjela
Leonard Solis
Nikollaq Neranxi

Votoi pro komisionit
Nard Ndoka

nga Anila Rama, Shekulli
Shtuar më 28/09/2006, ora 12:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori