Rama mohoi të ketë zgjedhje të parakohshme lokale, reagon menjëherë PD

Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohëshme lokale, siç pretendon opozita.

Lidhur me këtë deklaratë, ka reaguar PD me anë të Edi Palokës, sipas të cilit, zgjedhjet e parakohshme lokale janë kërkuar nga SHBA-BE, në bazë të vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese.

“Nuk është Rama që vendos se kur bëhen zgjedhjet lokale. Përveç faktit që një numër i madh bashkish sot janë pa kryetar sepse të emëruarit e Ramës kanë rezultuar të inkr.iminuar, ju kujtoj që do jetë Gjykata Kushtetuese që do të jap vendim për 30 qershorin.

Këtë e ka kërkuar SHBA, është në kushtet e BE-së dhe është përfshirë në raportin e OSBE-ODIHR-it. Në fakt raporti i vëzhguesëve ndërkombëtarë, 30 qershorin e ka bërë nul po sidoqoftë mbetet që vendimin me detyrimin për zbatim ta japë Gjykata Kushtetuese.

Rama që bën deklarata të tilla ose ka vendosur të mos lejojë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese siç ka bërë deri më tani, me gjithë kërkesat e opozitës dhe komunitetit ndërkombëtar për ngritjen sa më parë të saj, ose është i bindur në suksesin e përpjekjes tjetër të tij, atë të kapjes së Gjykatës Kushtetuese.

Këto janë të vetmet mënyra kriminale, për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale e për të mbajtur edhe për disa muaj në këmbë një pushtet të vjedhur e të inkriminuar”, shprehet Paloka.


Shtuar 8.07.2020 09:21