Matura Shtetërore, programet e lëndëve me detyrim
Publikohen programet orientuese për provimet e Maturës Shtetërore 2017. Pesë provimet e maturës, tre me zgjedhje dhe dy me detyrim, duhet të kalohen me sukses nga rreth 40 mijë maturantë që ata të mbyllin gjimnazin.

“Gazeta Shqiptare” publikon të plota tri programet orientuese të lëndëve: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Matematikë e Anglisht me detyrim, me nivel gjuhësor B1. Tashmë, pjesa kryesore e universiteteve i kanë përcaktuar kriteret hyrëse në universitet, ku peshë të konsiderueshme u kanë dhënë edhe provimeve të maturës.

UNIVERSITETET & MATURA

Për të hyrë në universitet kanë rëndësi edhe notat që maturantët do të marrin në provimet e maturës, pasi shumë prej universiteteve publike dhe private i kanë dhënë maturës rreth 30% deri në 50% të peshës së pikëve që përfitojnë maturantët. Kështu, Universiteti i Tiranës ka përcaktuar se, 50% të pikëve maturantët e fitojnë nga nota mesatare e shkollës së mesme, përfshirë edhe provimet e Maturës Shtetërore, me një mesatare të thjeshtë aritmetike, ndërkohë që gjysmën tjetër të pikëve, pra 50% maturantët e fitojnë nga nota mesatare e gruplëndëve të cilat janë përzgjedhur si preferenciale nga fakultete për çdo program studimi të ciklit të parë.

Universiteti i Mjekësisë Tiranë, ka përcaktuar si kriter aplikimi mesataren mbi 8.5. Ndërsa, sa i përket ndarjes së peshës, UMT-ja mesataren e provimeve të maturës e vlerëson me 35%, ndërsa 35% të pikëve maturantët i marrin nga nota mesatare e gjimnazit dhe 30% nga lëndët formuese. Lëndët formuese që preferon Universiteti i Mjekësisë janë 3; Kimi 10%, Biologji 10% dhe Fizikë 10%. Këto lëndë nuk kanë lidhje me lëndët që maturantët do të zgjedhin si provime me zgjedhje në Maturën Shtetërore dhe do t’i shënojnë në Formularin A1.

PROGRAMET ORIENTUESE

Në udhëzim sqarohet se për të gjithë kandidatët, programet orientuese të lëndëve të detyruara, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi e Matematikë, të jenë në përshtatje me programet ekzistuese të shkollave të mesme. “GSH” ka publikuar programet e sipërcituara për gjimnazin dhe gjimnazin gjuhësor, si dhe programin e gjuhës Angleze me detyrim, për ata maturantë që e kanë si gjuhë të huaj të parë. Ky provim do të ketë nivel vështirësie B1.


Po ashtu, në udhëzimin e MAS-it sqarohet se programet orientuese të lëndëve me zgjedhje duhet të jenë të njëjta për të gjithë maturantët që plotësojnë Formularin A1/A1Z. Në programin orientues të një lënde të thelluar të përmbahet edhe programi i lëndës-bërthamë. Maturanti, kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht të njëjtën lëndë-bërthamë (përjashtuar lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e Huaj)./GSH/

Shtuar më 27/01/2017, ora 09:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori