Matura shtetërore 2017, çfarë ka ndryshuar këtë vit?
Gjuha e huaj këtë vit do të jetë për herë të parë me detyrim në Maturë. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, kanë firmosur së fundi udhëzimin e përbashkët për zhvillimin e provimeve të Maturës 2017.

Në udhëzim përcaktohet se krahas dy provimeve të përhershme me detyrim, Gjuhë shqipe-Letërsi dhe Matematikë, gjuha e huaj do të jetë provimi i tretë me detyrim. Do të jenë katër gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht, që do të mund të përzgjidhen nga maturantët për t’u dhënë si provim i detyruar.

“Testi i gjuhës së huaj (D3) hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë trajtohet si gjuhë e huaj në nivelin gjuhësor B1”, thuhet në udhëzim. Në udhëzimin e ri të Maturës, sqarohet se gjuha e huaj si provim i detyruar do të përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1/A1Z. Maturantët e viteve të kaluara që kanë marrë pjesë në Maturat, 2014, 2015, 2016, dhe kanë rezultuar jokalues në provimin e gjuhës së huaj D3, duhet ta rijapin këtë provim. Ndërsa kandidatët e tjerë që do të aplikojnë sivjet me formularin A1Z nuk duhet ta rijapin më provimin e gjuhës së huaj D3.

Në listën e lëndëve me zgjedhje, që përmban 21 lëndë për nxënësit e shkollave të mesme, edhe këtë vit gjuha e huaj do të ketë koeficientin më të lartë, 10 kredite, ndërsa testi do të hartohet në nivelin gjuhësor B2.

Këtë vit, në provimet e Maturës janë përfshirë plot 26 lëndë me zgjedhje për nxënësit e shkollave profesionale, të cilët nuk do ta zhvillojnë më provimin shkollor të teorisë profesionale. Në udhëzim sqarohet se çdo maturantë ka të drejtë të zgjedh dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, pavarësisht nëse i ka zhvilluar ose jo nga shkolla në programin mësimor. Ndërsa maturantët e profesionaleve, duhet të zgjedhin një lëndë nga grupi i lëndëve me zgjedhje për shkollat profesionale sipas profilit që kanë ndjekur dhe një lëndë tjetër nga grupi i lëndëve për shkollat e mesme.

Po kështu, edhe maturantët e shkollave artistike, koreografike, për provimet me zgjedhje duhet të përzgjedhin një lëndë nga grupi i shkollave artistike dhe një nga grupi i shkollave të mesme. “Maturanti zgjedh lëndët për provimet me zgjedhje sipas këtyre kritereve: shuma e krediteve të këtyre lëndëve të jetë jo më e vogël se 8 dhe numri i lëndëve të jetë 2. Maturanti kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedh njëkohësisht të njëjtën lëndë bërthamë, përjashtuar lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe gjuhë e huaj”, sqarohet në udhëzimin e Maturës 2017. Për të gjithë kandidatët e maturave të mëparshme që kanë rezultuar mbetës në një nga provimet e Maturës, do duhet t’i rijapin ato që të pajisen me diplomë. Ndërsa ata që kanë dhënë dy ose më shumë provime me zgjedhje dhe janë vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se 4.50 (nota 5), i njihen ato dhe nuk mund t’i rijapin më.

Gjithashtu, në udhëzim saktësohet se kandidatët që në Maturën Shtetërore 2012 kanë zgjedhur për të dhënë 3 provime me zgjedhje dhe kanë mbetur në 2, duhet të zgjedhin një lëndë tjetër këtë vit, ndërsa ata që kanë rezultuar kalues në 2 provime do të pajisen me Diplomën e Maturës. Për kandidatët që kanë marrë Dëftesë Pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në universitetet publike, Ministria e Arsimit ka vendosur që t’u njihen provimet e detyruara ose provimet e njëvlershme me to, të njehsuara nga Drejtoritë Arsimore Rajonale. Këta kandidatë, në rastet kur kanë dhënë provime me zgjedhje ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin këtë vit provimet me zgjedhje kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga universitetet./Albeu.com/
Shtuar më 04/01/2017, ora 21:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori