Matura Shteterore ne Kosove mbahet me 5 qershor
Albeu.com
Testi i maturës shtetërore në Kosovë mbahet me 5 qershor dhe Ministria e Arsimit tha se është në fazën e fundit të përgatitjeve. Provimit të maturës sivjet do t’i nënshtrohen 30 mijë maturantë, raporton Koha.
Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës pret që rreth 30 mijë maturantë t’i nënshtrohen provimit të maturës, i cili do të mbahet më 5 qershor, ka raportuar RTK. Paraqitja e këtij provimi ka filluar që nga 3 maji dhe përfundon më 27 maj. Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa, tha se përgatitja e pyetjeve për testin e maturës është në fazën përfundimtare dhe për dallim nga viti i kaluar, këtë vit ai do t’i ketë katër teste.
“Pyetjet janë duke marrë formën përfundimtare të përpiluara nga ekspertë të lëmive përkatëse dhe në të njëjtën kohë të koordinuara nga divizioni për standarde vlerësim monitorim. Deri më tani planin dinamik e kemi realizuar 100 për qind, që do të thotë kemi qenë më të shpejtë se që e kemi planifikuar.”, tha Mustafa.
Mustafa shtoi se provimi i maturës do të ketë disa ndryshime nga viti i kaluar.
Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa, mendon se këtë vit do të ketë rezultate më të mira, pasi, sipas tij, përveç përgatitjeve me kohë nga ana e ministrisë, është vërejtur edhe një mobilizim i madh nga ana e shkollave, nxënësve, mësimdhënësve, por edhe nga ana e prindërve.
Ndërkohë, edhe në shkollat e mesme janë bërë përgatitjet e duhura. Azem Jaha, drejtor i gjimnazit “Xhevdet Doda”, tha se përgatitjet për provimin e maturës janë në përfundim.
Mësimi për maturantët ka përfunduar më 12 maj, ndërsa, më 19 dhe 20 maj kanë qenë riprovimet për ata nxënës, që nuk kanë treguar suksese pozitive në ndonjë lëndë të caktuar.
Sivjet testi do të organizohet në katër gjuhë, në atë shqipe, boshnjake, turke dhe angleze. Publikimi i rezultateve do të bëhet pas 10 ditësh, ndërsa nga 15 deri më 18 qershor, maturantët do të kenë mundësi që të ankohen. Për të gjithë ata maturantë, që nuk do të mund të tregojnë sukses pozitiv në afatin e qershorit, provimi do të organizohet edhe më 27 gusht.
Shtuar më 25/05/2010, ora 18:48
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori