Master i Inxhinierise se Ndertimit, per here te pare ne nje universitet privat ne Shqiperi
Albeu.com
Në mbledhjen e djeshme, qeveria shqiptare ka miratuar hapjen e programeve të reja në Universitetin Epoka. Bazuar në ligjin “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe ..... Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi për hapjen e programeve të ciklit të dytë dhe të tretë me kohë të plotë në “Inxhinieri Ndërtimi” në Universitetin Epoka. Sipas vendimit të qeverisë, program i ciklit të dytë me profile a) “Inxhinieri e strukturave të ndërtimit” dhe b) “Menaxhim i ndërtimeve” do të realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 2 (dy) vite akademike. Në përfundim të programit të studimit lëshohet diplomë e nivelit të dytë (DND), në “Inxhinieri ndërtimi” me profilet e mësipërme.

Programi i studimit të ciklit të tretë, “Master i nivelit të dytë (MND)”, në formën e studimeve me kohë të plotë, në “Inxhinieri ndërtimi” do të realizohet me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 1 (një) vit akademik. Në përfundim të programit të studimit lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë (MND), në inxhinieri ndërtimi”.

Me këtë vendim, numri i masterave në Universitetin Epoka, nga 11-të shkon në 13-të. Me vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 26 Gusht 2009-të, Universiteti Epoka fitoi të drejtën e hapjes së 11 programeve të ciklit të dytë dhe të tretë në degët: Arkitekturë, Inxhinieri Kompjuterike, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Studime Europiane, Financë-Bankë dhe Administrim-Biznes (MBA).

Universiteti Epoka, i cili është një vazhdimësi e Kolegjeve Turke në Shqipëri me mësimdhënie plotësisht në gjuhën angleze, është themeluar në vitin 2007. Gjatë periudhës tre vjecare të funksionimit, ka arritur të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi dhe të realizojë projekte të përbashkëta me më shumë se 10 universitete të rëndësishme botërore, mes të cilëve University of Texas at Austin (SHBA), Sam Huston University (SHBA), University of North Iowa (SHBA), Universiteti Politeknik i Barit (Itali), Universiteti i Torinos (Itali), Universiteti i Bolonjes (Itali), Universiteti Teknologjik i Vienes (Austri), Universiteti i Bosforit (Turqi), Universiteti i Stambollit (Turqi), Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme (Turqi) si dhe shumë universitete të tjera.

Në saje të bursave që ofron ky universitet për studentët e suksesshëm, vitin e kaluar, 25 maturantë të rradhitur mes 200 më të mirëve në Maturën Shtetërore të Shqipërisë, fituan bursa të plota katërvjeçare.

Aktualisht, në Universitetin Epoka funksionojnë dy fakultete: Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Administrative me degët Financë-Bankë, Administrim-Biznes, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ekonomi si dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinierive me degët Arkitekturë, Inxhinieri Kompjuterike dhe Inxhinieri Ndërtimi.

Studimet për programet bachelor në këtë Universitet zgjasin katër vjet dhe mësimdhënia është plotësisht në gjuhën angleze pasi 90 për qind e stafit akademik përbëhet nga profesorë dhe akademikë të huaj.
Shtuar më 11/02/2010, ora 17:36
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori