Kina-Rusisë: Shtyni pushtimin e Ukrainës deri në përfundimin e Lojërave Olimpike

Zyrtarët kinezë në fillim të muajit shkurt i kishin kërkuar zyrtarëve rusë që të mos nisnin pushtimin e Ukrainës para përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin.

Lajmin e bëri të ditur e përditshmja amerikane New York Times.

Sipas NYT, që citon zyrtarë të inteligjencës europiane dhe amerikane, zyrtarë të lartë të Kinës kishin njohuri rreth planeve dhe synimeve të Rusisë para nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Presidenti rus Vladimir Putin ishte takuar me homologun kinez, Xi Jinping në Pekin para ceremonisë së hapjes lojërave olimpike më 4 shkurt.

Zyrtari që foli për NYT në kushte anonimiteti, tha se materiali nuk tregonte domosdoshmërisht se bisedat rreth pushtimit të Ukrainës u zhvilluan në mes të Xi dhe Putin.

Në atë kohë, Moska dhe Pekini deklaruan se partneriteti i tyre ‘nuk kishte limite’ duke denoncuar zgjerimin e NATO’s. Në deklaratën e përbashkët u tha se ata do të krijonin një rend të ri botëror me një ‘demokraci’ të vërtetë.


Shtuar 2.03.2022 22:19