E FUNDIT/ Derbi mbyllet ne paqe, Atl Madrid dhe Reali ndajnë pikët (VIDEO)
MASH vë rregulla për regjistrim në universitetet private
Ministria e Arsimit cakton rregullat për t’u regjistruar në universitetet private.
Në një udhëzim të posaçëm janë vendosur datat dhe afatet. Po kështu është një listë dokumentesh, e cila duhet të paraqitet nga aplikantët.

Procesi i regjistrimit në programet e studimit të ciklit të parë ose të dytë do të monitorohet nga rektori i institucionit privat të arsimit të lartë.
“Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në IAL private të kryhet deri më datë 15 dhjetor 2011.

Për aplikim, pronari duhet të dorëzojë dosjen me dokumentet përkatëse. Bëhet fjalë për Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose diplomën/dëftesën e shkollës së mesme të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri”, thuhet në udhëzim.
Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, të dorëzojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, dokumentin e identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit dhe 2 fotografi. “Në qoftë se kandidati nuk ka dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës lëshuar nga drejtoria e shkollës ku ka përfunduar shkollën e mesme të konfirmuar nga drejtoria arsimore”, thuhet në udhëzim.

Në të përcaktohet se IAL private i dërgojnë Agjencisë Kombëtare të Provimeve brenda datës 24 dhjetor 2011 një listë me kandidatët e regjistruar. AKP, brenda datës 25 janar 2012, u dërgon këtyre universiteteve listën me numrat e matrikulimit të studentëve.

Për të aplikuar për “Master të nivelit të dytë”, “Master shkencash” “Master i arteve të bukura”, “Master profesional në IAL” private duhet një dosje me dokumente.
Ajo duhet të përmbajë kopje te noterizuar të diplomës së lëshuar në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë të shoqëruar me listën origjinale të notave, dokument identifikimi, 2 fotografi.

Shtetasit e huaj duhet të paraqesin leje të qëndrimit në Shqipëri. Pas procesit të regjistrimit në programet e studimit të ciklit të parë ose të dytë, IAL private përpilojnë një raport të hollësishëm në lidhje me regjistrimet e studentëve në afatet dhe formatet e kërkuara.
Shtuar më 07/08/2011, ora 12:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori