Masakruan klientin me shkop, arrestohet bashkëpunëtori i pronarit të tallavasë
Policia në bashkëpunim me Prokurorinë zbardhin fakte të reja në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016, në një lokal në afërsi të fshatit Dishnicë, ku pas një konflikti me sende të forta, gjeti vdekjen një 23 vjeçar nga Korça.

Janë zbardhur fakte të reja në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016 në një lokal në Dishnicë ku gjeti vdekjen një 23-vjeçar nga Korça.

Policia ka ndaluar bashkëpunëtorin e dytë të kësaj ngjarje për veprën penale : “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekje”.
Specialistët e Seksionit për Krimet e Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim :

Llazar Dine, 35 vjeç, banues në fshatin Dërsnik-Korçë.
Në vijim të hetimeve dhe dokumentimit me prova ligjore të kësaj ngjarje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendim penal nr 57 të datës 22.02.2017, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë: “Arrest në burg”, për veprën penale: “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekje” parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal.

Sqarojmë se shtetasi i mësipërm, rezulton bashkëautor me pronarin e lokalit shtetasin Olsi Zyber, i cili u arrestua nga Policia menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja.

Të dy këta shtetas, janë konfliktuar për motive të dobëta me 23 vjeçarin M.O, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Ngjarja

Një i ri mbeti i plagosur rëndë dhe është në rrezik për jetën, pasi pronari i një lokali tallava në fshatin Dishnicë të Korçës e masakroi atë më shkop bejsbolli.

Sipas Policisë, ai ka marrë plagë të rënda në pjesën e kokës si pasojë e rrahjes barbare. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur 23-vjeçari me inicialet M.T., është konfliktuar me 41-vjeçarin Olsi Zyberi dhe për pasojë ky i fundit e ka goditur me sende të forta në kokë duke i shkaktuar dëmtime serioze.

Shkak i konfliktit është bërë një grindje banale ku personat edhe nën efektin e pijeve alkoolike janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke përdorur edhe sendet e forta, çka ka shkaktuar edhe plagosjen rëndë të njërit prej tyre.

I riu i plagosur është dërguar menjëherë në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën mjekësore. Por bluzat e bardha, për shkak të gjendjes së rënduar të tij vendosën ta dërgonin me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, në Tiranë.

Ata kanë kërkuar helikopter, pasi transportimi me autoambulancë mund t’i rrezikonte jetën.

Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ka shoqëruar autorin, ndërsa është duke hetuar për të zbardhur rrethanat e plagosjes.
Aktualisht janë duke u marrë në pyetje edhe të tjerë persona që ndodheshin në lokal, pasi dyshohet se edhe ata mund të jenë të përfshirë në sherr. Motivet e ngjarjes mendohet të jenë për shkak të konsumit të alkoolit, por nuk përjashtohet edhe dyshimi që shkak të ketë qenë ndonjë femër.

Ky nuk është rasti i parë që në të njëjtin lokal tallavaje në Dishnicë të ndodhin sherre e përplasje për motive banale ndërmjet klientëve të ndryshëm. “Specialistët e Seksionit të Krimeve kundër personit, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Olsi Zyberi, 41 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimi i tij u bë pasi, sot në lokalin e tij, në afërsi të fshatit Dishnicë, ky shtetas pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, me shtetasin M.O, 23 vjeç, banues në Korçë, e ka goditur këtë të fundit, në kokë me sende të forta.
Shtetasi M.O, pas ndihmës mjekësore të marrë në Spitalin e Korçës, u dërgua në Spitalin e Traumës, në Tiranë, për ndihmë të specializuar mjekësore”, thuhej në njoftimin e Policisë së Korçës./albeu.com/

Shtuar më 25/02/2017, ora 15:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori