Masa për minimizimin e fenomenit të lypjes në rrugë
Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë prezantoi masat e ndërmarra në bashkëpunim me institucionet e tjera në lidhje me minimizimin e fenomenit të lypjes nga fëmijët në rrugë.

Ministri Erion Veliaj e cilësoi këtë fenomen si kompleks, ndërsa theksoi se ai nuk mund të zgjidhet vetëm përmes ndërhyrjes policore.

“Zgjidhja e këtij problemi nuk është kaq i thjeshtë, nuk është problem policor dhe nuk është problem që zgjidhet duke mbushur institucionet me njerëz që janë në nevojë. Bashkë me zv.ministren e Brendshme Elona Gjerbrea kemi ndërtuar një plan konkret veprimi për të adresuar situatën e fëmijëve në rrugë. Kjo nismë synon të ndërhyjë përmes një qasje sociale dhe jo një qasje eksluzivisht policore. Fillimisht do të ndërhyhet në Tiranë ku problemi është alarmant, më pas dhe në bashkitë e tjera që janë burim apo vende pritëse. Për herë të parë në Shërbimin Social Shtetëror është ngritur një task-force që ka nisur investigimet në rrugë në tre njësi bashkiake në Tiranë dhe do vazhdojë javë pas jave në zonat e tjera. Sipas studimeve një fëmijë në situatë rruge gjeneron të ardhura për tutorin e vet deri në 10 mijë lekë në ditë. Nëse mendoni se po ndihmoni atë duke i faluar e keni gabim, po ndihmoni personin që po e abuzon, përdor apo trafikon. Nëse doni të ndihmoni mund ta bëni pranë kishës, xhamisë suaj, shërbimit social, OJF-ve që punojnë me fëmijët, duke dhuruar të mira materiale, ushqim apo veshmbathje”, apeloi Veliaj.

Në vijim ai shtoi se do të krijohet një skemë financimi për shërbime sociale të detyrueshme për pushtetin vendor, pasi shërbimet sociale s’mund të jenë detyrë eksluzive e OJF-ve. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2014, ora 13:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori