Gjykata vendos: Arrest me burg për Fullanin (FOTO-VIDEO)

Pëlqej
Update - Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e "arrestit me burg" për ish Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullanit dhe inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi.

Sipas informacioneve, mësohet se kjo masë sigurie do të jetë në fuqi deri në një vendim të dytë nga Gjykata e Apelit. Ndërsa avokati i Fullanit, Maks Haxhia ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, duke theksuar se ky vendim është i padrejtë. /albeu.com/




Rreth orës 11:00 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është paraqitur në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e arrestit të vendosur në mungesë ndaj tij, në lidhje me vjedhjen e thesarit të shtetit. Në seancën e drejtuar nga gjyqtarja Blerina Muca, Fullani është shoqëruar në bankën e të akuzuarit në kafazin e hekurave, ndërsa përballë tij ndodhej prokurori që kërkoi urdhër-arrestin ndaj tij, Ramadan Troci.

11:25 - Sipas News 24, mësohet se për inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, do të zhvillohet një seancë e posaçme, e cila do të jetë individuale për të, duke caktuar kështu dhe masën e sigurisë, në lidhje me akuzën e "shpërdorimit të detyrës".

11:09 - Kanë mbërritur në ambientet e Gjykatës së Tiranës ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, dhe Kryeinspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi, të cilëve do ti caktohet sot masa e sigurisë. Fullani dhe Golemi janë transportuar për në ambientet e gjykatës me furgon policie, të shoqëruar nga forca policore.

Fullani mbrohet nga kreu i Dhomës së Avokatëve, Maksim Haxhia, ndërsa pritet të ankimohet vendimi i gjykatës. Kjo pasi, sipas deklaratave të dhëna për mediat nga avokati Haxhia, procedura e arrestimit të klientit të tij është e paligjshme.


Ardian Fullani dhe Elivar Golemi u vunë në pranga dy ditë më parë, pas urdhrit të prokurorit Ramadan Troci, në bazë të të cilit, dy të arrestuarit akuzohen për "shpërdorim detyre", pas skandalit të 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Ish-Guvernatori Fullani rrezikon deri 7 vjet burg.

E njëjta akuzë rëndon dhe ndaj Inspektores së Përgjithshme e BSH-së, Elivar Golemi, e cila refuzoi dy herë të paraqitej në Komisionin e Ekonomisë, ku u ftua të jepte shpjegime lidhur me skandalin që shpërtheu në Departamentin e Emisionit. /albeu.com/

Shtuar më 07/09/2014, ora 12:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori