MAS mbyll 12 gjimnaze private, ja emrat
Pëlqej
Pas inspektimeve të bëra në shkollat e mesme private në vend, Ministria e Arsimit ka vendosur mbylljen e 12 shkollave të mesme të cilët ushtrojnë veprimtarinë mësimorë për studimet me kohë të pjesshme.

Në një deklaratë për mediat, zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj u shpreh se këto shkolla të mesme private duhet t’i pajisin nxënësit me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që ata të transferojnë studimet në një shkollë të mesme publike për sistemin part-time, brenda 10 shtatorit 2014.

“Këto institucione kanë edhe detyrime. Ato duhet të mbyllin detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore për vitin 2013-2014 brenda afateve ligjore në fuqi. Duhet të pajisin çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshme për transferimin e tyre në një institucion tjetër publik, me kohë të pjesshme, brenda 10.9.2014. Duhet të vënë në dispozicion të drejtorive arsimore çdo informacion të nevojshëm, si dhe të kryejë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të studimit dhe çdo detyrim të papërmbushur ndaj nxënësve. Po kështu, të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e këtyre nxënësve duhet të kryhen nga vetë personi juridik privat i këtyre institucioneve”, tha Nora Malaj.

Shkollat e mesme private që do të mbyllen janë: shkolla “Talenti” në Durrës, “Migjeni” në Durrës, “3 Janari” në Durrës, “Iliria 1” në Elbasan, “Daka” në Lushnjë, “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” në Mat, “Vitrinat” në Tiranë, “Eurovizion IS” në Tiranë, “Inkus network” në Tiranë, “Vëllezërit Frashëri” në Vlorë, “Sami Frashëri” në Kuçovë, “Arianiti” në Elbasan. /albeu.com/
Shtuar më 04/09/2014, ora 16:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori