Marti Ahtisarit i vazhdohet mandati deri në qershor të vitit të ardhshëm
Albeu.com
Të dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, i është vazhduar mandati deri në qershor të vitit të ardhshëm, tha Hua Xhiang, zëdhënëse e Marti Ahtisarit. Ajo ka sqaruar se "ky vendim është vetëm një masë administrative".Duke mos lënë vend për spekulime eventuale, zëdhënësja e Ahtisarit ka shtuar se "kjo nuk don të thotë që i tërë procesi do të zvarritet deri në përfundim të mandatit". Ajo theksoi se Ahtisari është duke punuar në bazë të kornizave që i ka përcaktuar Grupi i Kontaktit - që statusi i Kosovës të zgjidhet brenda këtij viti. "Grupi i Kontaktit e ka thënë shumë qartë se procesi duhet të përmbyllet deri në fund të vitit. Dhe ky është synimi drejt të cilit jemi ende duke punuar. Madje, i dërguari i posacëm i Kombeve të Bashkuara e ka bërë shumë të qartë se ekziston vetëm një kornizë kohore e cila na është dhënë nga Grupi i Kontaktit, në bazë të të së cilës procesin duhet çuar drejt përmbylljes para këtij fundviti", ka nënvizuar sot zëdhënësja Xhiang në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Gjithashtu Xhiang bëri të ditur se deri në fund të vitit Ahtisari planifikon që t'ia prezantojë Këshillit të Sigurimit propozimin e tij, "dhe pastaj i takon Këshillit të Sigurimit çfarë të bëjë me këtë propozim", tha ajo. Në lidhje me spekulimet nëse zgjedhjet eventuale në Serbi mund të ndikojnë në kalendarin zgjidhjes së statusit të Kosovës, Xhiang tha se ekipi i Ahtisarit nuk do që të përfshihet në këto spekulime. "Mandati ynë është shumë i qartë dhe Grupi i Kontaktit dëshiron nga ne që ta përmbyllim procesin deri në fund të vitit dhe ne jemi duke punuar intensivisht drejt këtij synimi", theksoi Hua Xhiang.
Shtuar më 19/10/2006, ora 14:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori