U shoqërua në komisariat, Ervin Bejleri u kërkon falje publike efektivëve të policisë

Pak para mbylljes së protestës së ditës së djeshme, aktori Ervin Bejleri u shoqërua nga forcat e policisë në komisariat, për shkak të ofendimeve në drejtim të efektivëve të policisë.

Aktori përdori fjalë banale në drejtim të efektivëve. “Nuk keni shanse brenda, do ju q* rob, b**th q*rat, mes natës si kusarë, a keni fëmijë apo jo. Unë kam ardhur këtu për fëmijën tim, jo për muret dhe tullat”

Shoqërimi i tij u denoncua edhe nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ndërsa pas disa orësh Bejleri është lënë i lirë.

Pasi përdori gjuhë fyese kundër policëve, aktori ka kërkuar falje publike duke u shprehur se nuk e kishte me ta, por me personat që i drejtojnë.

Siç shprehet Bejleri, policët nuk e lanë të çmallej siç duhet me “shtëpinë” e tij.

“Për ju moshatarët e mi të veshur me uniformë: Jeni te stevitur, jeni të mësuar që ndaj çdo provokimi të jeni gjakftohtë. Por unë fatkeqësisht jo. Sepse sot u sulmua në mënyrë barbare shtëpia ime. Ju ishit në detyrë, por edhe unë isha në shtëpi. E ju nuk më latë ti jepja të paktën lamtumirën që meritonte.

E megjithatë ju FAL . Siç edhe ju kërkoj NDJESË për çdo fyerje ndaj jush. Por nuk ishte për ju po për ata që luajnë me ne. Me ju dhe me mua. Shpresoj sinqerisht që ata që janë fyer të më kuptojnë,”– shkroi Bejleri.


Shtuar 19.05.2020 13:22