Marrin rrjedhë tjetër hetimet për vrasjen e Gazmed Çollakut
Ka marrë një rrjedhë krejt tjetër gjyqi ndaj Denis Shtrazës, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend (Laert) Çollakut më 6 janar të vitit 2016, në Durrës.

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ditën e djeshme dëshmuan dy ekspertët biologë, Amanda Dedja dhe Aleksandër Bushati, të cilët hodhën dritë mbi analizat e ADN-së.

Kështu, analizat provuan se asnjë prej kampioneve të gjakut të gjetur në makinë apo në rrobat e viktimës nuk përputhen me ato të të akuzuarit Denis Shtraza.

Gjithashtu, ekspertët thanë dje në gjykatë se gjaku i gjetur në makinën e Ervin Dalipajt, ish-efektivit të Policisë, që u vra në një atentat në Sukth, nuk përputhen me ato të marra nga kufoma e Gazmend Çollakut.

Të vetmen përputhshmëri e kanë me nënën e Gazmend Çollakut, Nurie Çollaku. Kjo e ka futur gjyqin në një kolaps, pasi Denis Shtraza po i afrohet gjithnjë e më shumë lirimit nga akuzat.

Megjithatë, avokatët e tij nuk kanë nxituar të kërkojnë lirinë. Një provë tjetër që e nxjerr Shtrazën nga akuzat është edhe analiza e GPS të automjetit tip “Mercedes ML”, e cila i përkiste Dalipajt, por përdorej edhe nga Shtraza.

Sipas ekspertizës gjermane, GPS tregon se makina ka qenë aktive edhe nën sekuestro, çka përforcon bindjet e mbrojtjes se provat mund të jenë manipuluar. Ata dyshojnë se në mjet është ndë- rhyrë pasi GPS shfaqi vendndodhje të mjetit në vende jashtë Shqipërisë, ndërsa ato brenda territorit tonë nuk janë regjistruar.

Gjykata, pasi dëgjoi ekspertët, u tërhoq për këshillim dhe kërkoi një riekspertim. Kështu, Gjykata kërkoi që të krahasohen kampionet e gjetura në fashën e viktimës me ato të sendeve në bagazh, këto të fundit me ato të nënës së Çollakut dhe sendet e bagazhit me ato të viktimës edhe një herë ndaras.

EKSPERTIZA E ADN-SË

Sipas akt-ekspertimit të ekspertëve biologë, në laboratorin e tyre kanë mbërritur katër kampionë gjaku të marrë në mjetin tip “Mercedes ML” dhe janë dorëzuar nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Alfred Hoxha, më 28 janar 2016, pra rreth tri javë pasi mjeti i Dalipajt, që drejtohej nga Shtraza, u bllokua nga Policia.

Lidhur me këto prova, avokatët kanë pasur kundërshtitë e tyre, pasi ato janë zbuluar vetëm 3 javë pasi u bllokua mjeti, teksa regjistrohej në pikën e bllokimit në Rrashbull, ndërsa më herët oficerët që e kontrolluan mjetin nuk gjetën asgjë të dyshimtë. Sipas aktit, bëhet fjalë për një kampion të gjetur në dorezën e tapicerisë së bagazhit të pasmë të mjetit, një në një kapak plastik transparent, një në një çantë të zezë dore dhe e fundit në një kalendar, që gjendej gjithashtu në bagazhin e mjetit.

“Nga gjaku i marrë me tampon në dorezën e tapicerisë së bagazhit, në ambalazhin plastik dhe në çantën e zezë, objekte të këtij ekspertimi marrë gjatë këqyrjes së automjetit tip ‘Benz Mercedes’ me targa AA671MZ, u përftua i njëjti profil human i plotë, i seksit mashkull, i cili është i ndryshëm nga profili gjenetik i përftuar nga kampioni i gjakut i marrë me dy epruveta kufomës së shtetasit Laert (Gazmend) Çollaku”, shkruan akt-ekspertiza e ekspertes Amanda Deda.

Po kështu, i njëjti OPGJ ka dërguar kampionë të tjerë gjaku një ditë më pas, më 29 janar 2016, ku njëra është marrë nga një fashetë në trupin e viktimës dhe tjetra nga pështyma e Denis Shtrazës. “Profili gjenetik i përftuar nga kampionët e pështymës së Denis Shtrazës është i ndryshëm me profilin gjenetik të përftuar nga fashetat e viktimës, Gazmend Çollaku”, shkruan akti tjetër i ekspertimit, që përjashton çdo lloj njolle gjaku të Shtrazës në trupin e viktimës apo në bagazhin e mjetit.

Po kështu, profili i gjenetik i gjakut të kufomës nuk përputhet me atë të nënës së tij, Nurie Çollaku, dhe as me ato të gjetura në bagazhin e mjetit. Këto të fundit përputhen vetëm me ato të Nurie Çollakut që provojnë se ai gjak është marrë nga një fëmijë i Nuries, por jo nga vetë Gazmend Çollaku, i cili duket se nuk e ka nënë biologjike atë. /albeu.com/
Shtuar më 18/10/2017, ora 16:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori