Marreveshja Shqiperi-SHBA, ve Shqiperine ne pozicion te veshtire para BE-se
Albeu.com
Marrëveshja e nënshkruar në 2 maj të vitin 2003 mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, në bazë të së cilës u njihet imunitet shtetasve amerikanë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e ka vënë aktualisht Tiranën zyrtare përpara një momenti nga më të vështirët dhe më me pasoja për të ardhmen afatgjatë të vendit.Gazeta Shqiptare bën të ditur se shkak është pikërisht fakti se Bashkimi Evropian në mënyrë të përsëritur i ka bërë thirrje Shqipërisë ta shfuqizojë apo amendojë këtë marrëveshje, pasi nuk përputhet me agjendën e integrimit evropian. Por, nga ana tjetër, shfuqizimi apo amendimi do të cenonte marrëdhëniet e shkëlqyera me partnerin strategjik të vendit tonë, sikundër janë SHBA-të.

Pra, në balancë qëndron nga njëra anë dëshira mbarëkombëtare për integrim në familjen evropiane, dhe nga ana tjetër interesat strategjike të sigurisë dhe demokracisë, të lidhura ngushtësisht me SHBA-të. Por, tani që Shqipëria është më afër se kurrë familjes evropiane, Tirana zyrtare e ka të detyrueshme të bëjë një zgjedhje.

Kjo, për shkak se në pyetësorin e Komisionit Evropian, përgjigjet e së cilit do të shënojnë një hap domethënës drejt integrimit në BE, Shqipërisë i kërkohet të sqarojë hapat që ka marrë në drejtim të zbatimit të të ashtuquajturit, Statuti i Romës, për Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Konkretisht, në pyetjen me numër 120, Tiranës zyrtare i drejtohet pyetja se: “Çfarë hapash keni ndërmarrë për të ratifikuar dhe zbatuar në ligjin shqiptar, Statutin e Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale? A ka ndonjë përjashtim që Shqipëria bën në aplikimi e këtij Statuti, duke përfshirë marrëveshjet dypalëshe që synojnë përjashtimin nga juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare Penale? Ju lutem, sillni shembuj”. (news24/bw/albeu)
Shtuar më 24/01/2010, ora 22:05
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori